Kukësi, vlerësim maksimal për transfertën e Ersekës
Për veriorët nuk lejohet asnjë hap fals, ndaj dhe me Gramozin do të shkarkohen të gjtha bateritë për të marrë 3 pikët
Kukësit nuk i lejohet asnjë hap fals, sepse tashmë në luftë për vendin e dytë është radhitur edhe Besa. Ekipi verior ka filluar që të martën stërvitjen në fushën e tij, ndërkohë që trajneri Shahin Berberi thotë se në Ersekë synohet vetëm fitorja, pasi, sipas tij, çdo rezultat tjetër konsiderohet hap fals. Në Ersekë do të shkojmë vetëm për fitore, megjithëse kemi një vlerësim maksimal për kundështarin. Ndeshen dy ekipe që kanë pozicione ekstreme në tabelën e renditjes.
Ne kërkojmë superligën, kurse kundërshtari luan për mbijetesë. Gramozi nuk ka çfarë të humbasë, kështu që do të jetë më i lirshëm në lojë, – shprehet trajneri Shahin Berberi. Ai nuk e nënvlerëson aspak kundërshtarin e radhës, por edhe gjithë kundërshtarët e tjerë, sepse, sipas tij, të gjithë luajnë futboll.
Numri 1 i stolit kuksian llogarit si avantazh në ndeshjen e radhës lojën e kundështarit. Ai thotë se Gramozi është një ekip simpatik, nuk është agresiv në lojë dhe të lejon të luash futboll. Në ndeshjen e kësaj jave formacioni kuksian do të jetë i plotë, pasi është rikthyer edhe Pashaj.
Rivaliteti Megjithëse janë edhe 10 javë për tu luajtur, drejtuesit e Kukësit kanë filluar të bëjnë kalkulimet e tyre dhe mendojnë që në ndeshjen e fundit me Lushnjën të jenë 4 pikë pikë përpara. Megjithatë, kuksianët i druhen më shumë rivalitetit me Besën se me Lushnjën, pasi ekipi kavajas ka aleatë në mesin e skuadrave të kategorisë së parë.
Si aleatin kryesor të Besës ata llogarisin Elbasanin. Por, fitorja në Ersekë do të thotë që Kukësi të mos e lëshojë vendin e dytë, ndërkohë që më pas ka dy ndeshje radhazi në fushën e tij, pikërisht me Elbasanin dhe me Adën. Kukësi mban vendin e dytë, me 41 pikë, një më shumë se Lushnja dhe dy më shumë se Besa.
