Tre ligjet e integrimit, damkë e zezë e Edi Ramës

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Në një tjetër dalje për mediat gjatë pasdites së sotme, mazhoranca ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë për kalimin e tre ligjeve për statusin në parlament. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ndërsa e vlerësoi procesin e integrimit si prioritet të qeverisë, akuzoi sërish kreun e opozitës , Edi Rama se për shkak të tij, shqiptarët kanë humbur 3 vite në procesin e integrimit evropian. Sipas Bregut bllokimi i tre ligjeve është një damkë e zezë e kreut të PS, të cilën nuk ia heqin dot as lojërat dhe taktikat e partnerit të tij më të ri në koalicion. “Janë bërë 208 ditë që Edi Rama për përfitime politike, merr vendime kundër interesave të qytetarëve, sepse e vetmja punë që ai di të bëjë është të kujdeset për karrigen e tij. Shqiptarët duan të ecin përpara. Kryeministri Berisha ka thënë se është i gatshëm bashkë me deputetët e mazhorancës për ti votuar në çdo kohë tre ligjet për marrjen e statusit kandidat. Prioriteti ynë ka qenë dhe do vazhdojë të jetë integrimi i vendit në BE. Sot shqiptarët kanë 208 arsye për të mos e votuar Ramën, nesër do kenë 209 e kështu me radhë deri më 23 qershor” theksoi ajo. Duke iu referuar listave për deputetë të Partisë Socialiste, Bregu akuzoi Kryesocialistin se ka përfshirë në lista klientelën e tij mafioze.