Tre të dënuar për vrasje pranga në Holandë, Itali
TIRANE- Sipas njoftimit të Zyrës Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana tre të arrestuarit janë Fredi dhe Sokol Aliaj të dy 28 vjec nga qyteti i Fierit, dhe Alban Lika i njohur si Lin Gjekaj 35 vjec nga qyteti i Shkodrës.
Fredi dhe Sokol Aliaj, 4 vjet më parë së bashku me Ismet Boriçin, Platon Pepën akuzohen se kanë vrarë Robert Mitron. Viktima u gjet i vrarë me sende të forta në plazhin e Durrësit, në janar të vitit 2004. Sipas policisë, konflikti mes viktimës dhe të dyshuarve si autorë kishte ardhur për shkak të një vajze, e cila ishte kushërira e Boriçit. Sipas policisë, Mitro bashkëjetonte me të dhe të dyshuarit si autorë pretendonin se kishte për qëllim ta trafikonte.
Më 7 maj Gjykata e Krime të Rënda deklaroi fajtor Fredi dhe Sokol Aliajn për vrasje në rrethana të tjera cilësuese , duke i shkaktuar mundime të veçanta viktimës Robert Mitro dhe i dënoi përkatësisht me 23 vjet burg dhe 20 vjet burg.
Ndërsa 35 vjecari Alban Lika nga qytet i Shkodrës është arrestuar në Itali pasi akuzohet për vrasjen e Tonin Dedës, ngjarje e ndodhur në 1999 po në Shkodër.
Shtetasi Alban Lika është shpallur në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr. 195, datë 22.06.2000, e ka dënuar me 17 vjet heqje lirie, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes dhe armëmbajtje pa leje” parashikuar nga nenet 76 dhe 278/2, të Kodit Penal Shqiptar.
Kapja e këtyre shtetasve është bërë në sajë të ndjekjes profesionale dhe bashkëpunimit e shkëmbimit të informaciont ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me strukturat homologe në Holandë dhe Itali.
(s.g/BalkanWeb)