E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre të vdekur, tërhiqet Togo

Togo është tërhequr nga Kupa e Afrikës, pasi numri i viktimave nga sulmi ndaj autobusit të ekipit në Angola, është ngritur në tre. Ndihmëstrajneri Abalo Amelete, zyrtari për informim Stan Ocloo dhe shoferi kanë humbur jetën. Ndërsa, të shtunën pasdite kanë qarkulluar njoftime se edhe portieri Kodjovi Obilale ka vdekur pas plagëve të marra nga sulmi të premten.

Të lënduar janë edhe disa futbollistë të tjerë. Organizatorët kanë insistuar se gara do të zhvillohet dhe ende kërkojnë që Togo të luajë. Por mesfushori i Togos, Alaixys Romao, i tha të përditshmes sportive franceze L’Equipe: “Jemi duke biseduar me ekipet e tjera në grupin tonë duke u munduar t’i bindim që ta bojkotojnë garën”.

Togo pritej të luajë kundër Ganës të hënën, në ndeshjen e dytë të parë në provincën veriore të Angolës, Cabinda, ku ndodhi sulmi ndaj tyre. Bregu i Fildishtë dhe Burkina Faso janë ekipet e tjera në Grupin B.
Sipas burimeve të BBC-së, organizatorët janë duke u munduar të bindin Togon të mbesin në Angola, duke iu premtuar përforcim të sigurisë. Por, selektori i Togos, Hubert Velud, i tha radios franceze RMC se ai mendon se autoritetet e Angolës duhet të konsiderojnë mundësinë e anulimit të garës.

“Ne të gjithë mund të parashtrojmë këtë pyetje. Është aktor i barbarizmit, ndërsa ne jemi këtu për të festuar futbollin afrikan. Ne mendojmë se autoritetet nuk janë duke e marrë këtë rast me seriozitet”, tha ai.

Kapiteni i Togos, sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, i cili ishte në autobus, por shpëtoi pa lëndime është këshilluar nga klubi i tij, se do të ketë në dispozicion sa të dëshirojë kohë, që dëshiron për t’u rikuperuar nga sulmi.

“Është ndeshje futbolli, është njëra prej garave më të mëdha në Afrikë dhe shumë njerëz do të dëshironin të jenë në pozitën tonë, por nuk mendoj se dikush do të ishte i gatshëm të japë jetën. Nëse jam i gjallë nesër, mund të luajë përsëri futboll dhe vitin tjetër mund të marrë pjesë në një tjetër Kupë të Afrikës, por nuk jam i gatshëm të vdes tani”, tha ai, për BBC Afrika.

Souleymane Habuba, zëdhënës i organizatorëve nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), ka thënë se gara do të zhvillohet pavarësisht sulmit. “Brenga jonë kryesore është për futbollistët, por gara do të zhvillohet”, tha Habuba i cili është i habitur pse Togo ka zgjedhur të udhëtojë në rrugë tokësore, në vend se të fluturojë. “Rregullat e CAF-it, janë të qarta: ekipet duhet të fluturojnë dhe jo të udhëtojnë me autobus”, shtoi ai.

Ndërsa Federata botërore e Futbollit (FIFA), ka shprehur brengosjen e tyre ndaj sulmit. “FIFA dhe presidenti i saj, Sepp Blatter janë të prekur thellë nga incidenti ndaj Kombëtares së Togos, të cilëve ju shprehin përkrahjen tonë. FIFA është në kontakt me CAF dhe presidentin e saj, Issa Hayatou, nga të cilët presim një raport të plotë rreth ngjarjes”, thuhej në një komunikatë të FIFA-s.Kupa e Afrikës do të fillojë të dielën edicionin e saj të 27-të. Ndeshja e cila shënon fillimin e turneut do të zhvillohet mes Angolës dhe Malit.

Kupa e Afrikës

Grupi A: Angola, Algjeria, Malawi, Mali
Grupi B: Burkina Faso, Gana, Bregu i Fildishtë, (Togo)
Grupi C: Benin, Egjipt, Mozambiku, Nigeria
Grupi D: Kameruni, Gabon, Tunizi, Zambia

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›