E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjetimet e një regjisori serb në Prishtinë

Ai ka menduar të realizojë një dokumentar jashtë kornizave. E ka nisur si një udhëtim personal dhe kolektiv në vende të cilat kanë qenë simbole të konflikteve ballkanike të viteve ‘90. “Splitting hairs”, kështu është titulluar dokumentari i regjisorit të ri nga Beogradi, Darko Sokoviç. Ai do të shfaqet gjatë muajve të ardhshëm. Xhirimet e “Splitting hairs” kanë përfunduar në vitin 2008. Sokoviç ka zgjedhur të vizitojë gjashtë qytete të ish-Jugosllavisë, të gjitha teatër vrasjesh dhe dhune prej forcave serbe. Në çdo qytet, Sokoviç rrëfen një pjesë të historisë së tij dhe kujtimet që e lidhin me atë realitet... Ai hyn në berberinat e këtyre qyteteve, dhe pas një rregullimi flokësh e heqje mjekre, e lë qytetin të flasë për veten...

Cilat janë etapat e ndryshme që keni prekur gjatë xhirimeve të dokumentarit dhe përse keni zgjedhur pikërisht këto qytete?

Pejë, Prishtinë, Vukovar, Dubrovnik, Sarajevë, Sanski Most dhe në fund i jam kthyer edhe një herë Vukovarit. Secili prej këtyre qyteteve ka kontribuar në rritjen time dhe ka përfaqësuar një pasazh të rëndësishëm të jetës sime, sa u përket ndjenjave personale. Ka qenë një udhëtim brenda vetes sime dhe në të njëjtën kohë edhe brenda dhunës që në këto 20 vite ka tronditur zonën ku unë jetoj. E ndjeva të nevojshme të njihem më mirë dhe t’i kthehem edhe një herë historisë së popullit tim. Dhe për ta bërë këtë, unë personalisht jam kthyer në këto vende, dhe ndërsa dëgjoj ngjarje e histori, kam prerë flokët dhe kam hequr mjekrën te berberët e qyteteve.

Cili ka qenë episodi më i ndjeshëm dhe i prekshëm gjatë xhirimeve të këtij dokumentari?

Pa asnjë dyshim momenti më i ndjeshëm ka qenë takimi me berberin e Prishtinës. Shkova në dyqanin e tij një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Berberi më priti dhe më ftoi të ulesha. Ndërsa më hiqte mjekrën e më priste flokët, më tregoi për më shumë se gjysmë ore të gjitha vuajtjet që kishin kaluar prej forcave serbe, dëmet që kishte pësuar familje e tij, si dhe humbjet e njerëzve të dashur gjatë viteve ‘90. Gjithçka e bëri pa më kritikuar dhe pa më gjykuar për faktin e thjeshtë se unë isha serb. Thjesht ai ishte një burrë që i tregonte vuajtjet një burri tjetër. Gjatë gjithë kohës pata gërshërët dhe briskun e tij mbi kokë. Në një moment, gjatë kohë kur po më rruante, më preu pak në lartësinë e fytit. Menjëherë më dezinfektoi. U mallëngjeva teksa e pashë se me sa shumë kujdes e bënte. Personalisht mendoj se kam kuptuar më shumë gjëra për sa i përket konfliktit serbo-shqiptar në atë gjysmë ore që qëndrova aty, më shumë se sa të gjitha studimet e bëra së bashku. Edhe kalimi në Sarajevë ka qenë shumë domethënës. Duke lëvizur nëpër qytet, vështrimi im ndalej gjithnjë mbi kodrat. Nuk arrija, dhe akoma edhe sot nuk po arrij dot të kuptoj se si ka qenë e mundur jetesa në atë rrethim. Dhe mendimi im ndalej më pas mbi përgjegjësinë politike për gjithë sa kishte ndodhur.

Xhirimet atëherë përbënin një lloj katarsis?

Absolutisht po. Mendoj se ky film përfaqëson një lloj katarsisi për mua, për publikun që do të vendosë ta shikojë, por edhe për personat që janë intervistuar. Dhe e gjithë kjo falë faktit që kemi arritur të krijojmë një hapësirë të mbrojtur dhe në të njëjtën kohë të çliruar prej stereotipave dhe paragjykimeve, në të cilin njerëzit kanë mundur të hapen dhe të flasin për veten, duke larguar prej vetes gjithë sa mbanin brenda në zemër.

Po momenti më argëtues cili ka qenë?

Gjithnjë në Prishtinë, gjithnjë tek i njëjti berber. Vazhdonte të kërkonte falje për serbishten e tij, gjuhë të cilën nuk e fliste më prej pothuajse dhjetë vitesh. Unë i përsëritja që kuptoja shumë mirë të gjitha që më thoshte, dhe se e folura e tij ishte shumë në rregull. Pasi u qetësua, më tha në mirëbesim se në shtëpi, me bashkëshorten e tij, kur nuk donin që fëmijët të merrnin vesh çfarë thoshin, flisnin serbisht mes tyre. Për mua ishte një rrëfim i vërtetë të zbuloja se disa shqiptarë të rritur përdornin gjuhën serbe në pjesën më intime të jetës së tyre familjare dhe shtëpiake. Por akoma më e pabesueshme ishte kur zbulova se edhe shumë njerëz të tjerë në Kosovë e përdornin këtë praktikë.

Dalja e "Splitting hairs" është shtyrë disa herë dhe dokumentari duhej të ishte gati për vitin që sapo lamë pas. Pas këtyre shtyrjeve, mos ndoshta ka pak druajtje, një frikë për të dalë zbuluar në lidhje me këto tema ende mjaft të ndjeshme për Ballkanin?

Jo, nuk është kjo arsyeja. Problemi i vërtetë jam unë. Ky dokumentar më ka detyruar të shfaqem më i vërtetë se asnjëherë, të ripërshkruaj edhe disa ngjarje të jetës sime private. Ka qenë e vështirë të ekspozohesha në të tillë mënyrë dhe të shihja edhe një herë të shkuarën time. Gjithçka më ka shtyrë drejt episodeve, edhe banale, që megjithatë kanë influencuar në produktin final. Për shembull, e gjeta veten duke prerë disa skena, vetëm sepse më dukej vetja ime shumë i shëndoshë. Edhe pse isha unë vetë që e dëshiroja këtë dokumentar, u desh kohë për të gjetur veten në atë që isha duke bërë. Gjatë xhirimeve, nuk pata asnjë rrezik për sa i përket sigurisë sime personale. Pata vetëm një hezitim të vogël në Pejë. Aty kemi xhiruar në ditën e shpalljes së pavarësisë. Isha në mes të sheshit të qytetit, të pushtuar nga shqiptarët në festë. Atmosfera ishte shumë e nxehtë. Nuk është se u ndjeva unë personalisht i kërcënuar, por atmosfera në tërësi m’u duk mjaft e dhunshme.

Promovimi i filmit ka nisur tashmë në Serbi, ndërsa ju jeni i ftuari i nderit në disa studio të ndryshme televizive. Reagimi që publiku mund të ketë kur ta shikojë këtë dokumentar, mbetet gjithsesi i panjohur...

Atmosfera tashmë ka ndryshuar edhe në Serbi. Klima nuk është më ajo e vitit 2008, në kohën e xhirimeve. Atë vit, çështja e Kosovës ishte ende pezull dhe retorika nacionaliste kishte mbërritur në nivele që nuk linin të shpresoje për asgjë të mirë. Nuk e di nëse është një dokumentar që do të pëlqehet, por jam i bindur që filmi do të zgjojë interes, sepse duke u nisur nga historitë individuale, përballet me tema të nxehta që janë të lidhura me propagandën politike. Secili ka vuajtjet e veta për të treguar dhe asnjë nuk mund ta mohojë ekzistencën e tyre. Një koleg i imi më ndihmoi për prodhimin, edhe pse kishte një vizion tërësisht ndryshe nga i imi. Më tha se më ndihmoi vetëm se iu duk shumë korrekte mënyra se si i ishte lënë hapësirë dhimbjes së njerëzve.

Dokumentari, i gjithi në gjuhën serbe, do të përkthehet edhe në anglisht e shqip, për të garantuar në këtë mënyrë një shpërndarje më të gjerë të tij. Është parashikuar edhe shpërndarja në Kosovë e këtij dokumentari?

Ai do të transmetohet nga televizione të të gjithë krahinës. Në Kosovë, më shumë se nga çdo vend tjetër në Ballkan, është shumë e vështirë të jesh vetëm vetja, duke harruar dhe duke lënë mënjanë, qoftë edhe për një moment, të shkuarën dhe kombësinë tënde. Megjithatë edhe në Kosovë më duket se ka ardhur koha që të çelet një debat mbi të shkuarën dhe kujtesën. Deri tani tema të kësaj natyre kanë qenë tabu dhe asnjë nuk ka pasur guximin t’i prekë. Jam dakord me ata që mendojnë se ka gjëra për të cilat një serb dhe një shqiptar mund të flasin më lirshëm se sa dy shqiptarë apo dy serbë mes tyre. /gazetashqip/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›