“Tre tenorët” festojnë 10-vjetorin
“Tre tenorët” do të rikthehen në skenën e Pallatit të Kongreseve mbrëmjen e 4 dhjetorit, ku në një mbrëmje “Gala” do të bashkohen shumë artistë. Përveç “tri tenorëve” që këtë vit, për herë të parë janë të tre me nacionalitet italian: Francesco Malapena, Francesco Zingariello e Giacomo Mosca, do të ketë edhe të ftuar të veçantë që do të performojnë, si tenorët Gaqo Çako, Adrian Xhema, Agim Hushi, Rame Lahaj dhe Sebastian Ferrad, si dhe sopranoja Ramona Tullumani, të shoqëruar nga Orkestra Filarmonike e Universitetit të Arteve dhe nga Mjeshtri Genc Tukiçi në piano. Orkestra do të drejtohet nga M° Leonardo Quadrini, nga M° Bujar Llapaj dhe nga dirigjentë të tjerë shqiptarë. Në program përfshihen pjesë shqiptare, arie operash, këngë klasike napoletane dhe muzikë për orkestër. Ky është edicioni i 10-të i “Tre tenorëve”, ndërkohë që programi dhe organizimi përkojnë me këtë jubile. Treshja e tenorëve, një numër që ka ngelur traditë që në fillim të këtij koncerti, është ndryshuar nga viti në vit, duke sjellë të njohurit si Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Adrian Xhema, Gaqo Çako, Agim Hushi, Armando Kllogjeri.