“Turandot” e epokës së “Madam Mao”-s
Përralla e princeshës së pushtetshme që i dorëzohet dashurisë, vjen në një tjetër version në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, atë të revolucionit kulturor kinez. Premiera e operas fton publikun më 3 dhjetor
Pasi ka hequr “petkat” e Dukës së Montavës në operan “Rigoleto” të Verdit, që u shfaq suksesshëm në Verona, tenori Armando Kllogjeri vesh “petkat” e Kalafit në operan “Turandot”, që do të vijë premierë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Opera e kompozitorit të njohur italian, Xhiakomo Puçini, ishte planifikuar si premierë më 3 dhjetor, por për shkak të zisë kombëtare, ajo u shty për të hënën më 5 dhjetor. Ndërkohë, në qendër të shfaqjes është historia e princeshës Turandot, e cila është një grua e fortë, që komandon popullin e vet me dorë të hekurt. Kalafi, që është personazhi tjetër kryesor, vjen dhe zbulon bukurinë e Turandotit dhe njëkohësisht, ai ka një mundësi të mirë që nëpërmjet saj të bëhet mbret. Por përtej përrallës, regjisori i shfaqjes, Nikola Zorzi duket se e ka sjellë në kohë princeshën shqiptare Turandot. Regjisori Nikola Zorzi, një mik i skenës sonë operistike dhe një emër i njohur në Itali, jo vetëm përmes veprave të tij, por edhe nëpërmjet bashkëpunimit me regjisorin e njohur Franko Zefireli (Zorzi është asistent i tij), ka sjellë një tjetër konceptim për premierën shqiptare “Turandot”. “Është një koncept tërësisht i tij, larg detajeve të Kinës së njëmijë vjetëve më parë, të një Kine përrallore. Veprën, ai e ka sjellë në n Kinën e një kohe tjetër, ku fenomenet që shfaqen aty na kujtojnë revolucionin kulturor kinez, influencën që pati edhe tek jeta artistike shqiptare ky revolucion, me një autoritet që simbolizonte ata librat e kuq të Mao Ce Dunit dhe njeriun e ri të ngurtësuar. Nikola Zorzi e vë në skenë operan “Turandot” duke i mëshuar pikërisht kësaj ideje, ku në fund të fundit, akulli i dhunës së diktaturës, i shpifjeve, i padrejtësive, i dhunimit të personalitetit njerëzor, sfumohet dhe në fund triumfon dashuria e vërtetë”, - jep disa detaje dy ditë para premierës së shfaqjes drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit, Zhani Ciko. Ndërkohë që vetë regjisori Nikola Zorzi, një pjesë të idesë dhe konceptit të ri të vënies në skenë të operas “Turandot” ia dedikon edhe vizionit të skenografisë dhe kostumeve të realizuara nga bashkatdhetarja e tij, Manuela Gasperoni. “Për këtë koncept kam bashkëpunuar me Manuela Gasperonin, dhe mendoj se për publikun shqiptar kemi sjellë një shfaqje që shkon përtej shpirtit dramatik të personazheve. Opera “Turandot” është një përrallë, por ama, ka të tjera aspekte të operas më interesante sesa përralla, që janë pushteti i një gruaje mbi popullin e saj dhe dashuria që në fund e mposht këtë forcë dhe këtë pushtet të saj. Finalja është kjo në fund të fundit. Nuk është thjesht përralla e një epoke, ky version është pastruar nga gjithë ndikimet e jashtme për të dalë në thelbin e veprës; dashuria triumfon mbi autoritetin e një gruaje”, - u shpreh regjisori Nikola Zorzi. Ndërsa mënyra sesi regjisori Zorzi ka “skalitur” Turandot, drejtorin Zhani Cikon e rikthen në të shkuarën, atëherë kur revolucioni kinez kishte trokitur edhe në Shqipëri. “Koncepti i regjisorit Nikola Zorzi nuk i përket epokës së përrallës. Personalisht më kujton epokën e Jiang Qingit (quajtur ndryshe me pseudonimin Madamë Mao), gruas së Mao Ce Dunit, që në atë kohë merrej me revolucionin në art. Unë kam qenë në atë kohë atje dhe nuk e di, por më shkojnë të dridhura vërtet nga vizioni i regjisorit për mënyrën se si e ka sjellë këtë vepër. Është shumë e veçantë”, - shpreh një pjesë të emocioneve të tij drejtori Ciko.
Një opera që mbahet mbi “shpatullat” e shqiptarëve
Në krahasim me versionin e parë të operas “Turandot”, vënë në skenë nga Nikolin Gurakuqi në vitin 2005, kësaj radhe, për herë të parë kjo opera prezantohet tërësisht nga një kast interpretësh shqiptarë. Eva Golemi do të jetë në kryerolin e titullit, bashkë me Irini Nikollën, një nga sopranot tona të përvojës më të mirë të kësaj kohe; tenori i mirënjohur, Armando Kllogjeri, i cili ka ardhur enkas nga Italia për të interpretuar Kalafin. Armando Lika, i cili sapo realizoi një kryerol tek “Flauti magjik”, vjen me një rol po aq të rëndësishëm tek “Turandot”. Por po aq të rëndësishme konsiderohen edhe rolet e vogla nga drejtori Ciko. “Janë dhe disa role po kaq të rëndësishme, që ndonëse janë role të vogla, janë shumë të vështira. Në rast se dirigjenti nuk i ka të përgatitura këto role bashkë me korin, shfaqja është e pamundur të bëhet”. Në role të tjera interpretojnë Eriona Gjyzeli dhe Besa Llugiqi (Liu), Erlind Zaraliu dhe Denis Skura (Pang), Edvin Kastrati (Ping), Gilmond Miftari, Roel Llupa, Sokol Tomori, Luan Sula, Ardian Kamberi etj. “Turandot” është premiera e 7-të e këtij viti vënë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
E vetmja vepër puçiniane ku dashuria triumfon
“Turandot” është një vepër e madhe, është një titull që të bën të dridhesh, por po kaq shumë është e rëndësishme kjo premierë për konceptin dhe idetë që mban ajo në bazë të platformës, të cilën TKOB-i ka zgjedhur që ta vendosë në skenë”, - u shpreh drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko. Opera e princeshës Turandot i ka qëndruar historisë së muzikës jo vetëm për forcën muzikorë që përcjell, por sepse në thelb të saj është një ndeshje e madhe social-politike e mishëruar në art. Është ndeshja mes autoriteti të akullt të një potencë që dhunon e shtyp, dhe forcës së madhe të dashurisë e ngrohtësisë njerëzore, e cila triumfon. Kjo është e vetmja vepër puçiniane që ka një fund të lumtur. “Është vepra e fundit e Puçinit, të cilën ai nuk arriti ta shihte në skenë dhe ta kurorëzonte, por që në thelb kishte dhe konkluzionin e jetës së tij që, dashuria njerëzore triumfon mbi çdo lloj dhunë dhe diktature”, - thotë Ciko.
Skenografia që sjell ndërmend burgun e Spaçit
Dekori ngjet me një burg, simbol i dhunës së pushtetit. Por drejtorit Ciko, ai burg i ngjason me burgun e Spaçit. “Unë, kur e kam parë skenografinë më solli në kujtesë Spaçin, një burg të tmerrshëm”. Por edhe regjia është e konceptuar në këtë mënyrë, si një kundërvënie ndaj dhunës