E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Tre tenorët", të ftuar napolitanët

Në edicionin e shtatë të koncertit operistik "Tre tenorët", më 6 dhjetor, ora 19.00, në Pallatin e Kongreseve janë të ftuar tenorët Adrian Xhema, Armaldo Kllogjri, pjesëmarrës edhe edicionin e kaluar dhe për herë të parë, Ramë Lahaj.


Si edhe në edicionin e tjera, interpreton sopranoja Ramona Tullumani. Të ftuarit e veçantë të këtij viti janë tre tenorët italianë Giacomo Mosca, Vito Russo dhe Francesco Tuppo.


Mjeshtër koncertues Luigi Ottaiano. Pianist Genc Tukiçi. Koncerti shoqërohet nga Orkestra Filarmonike e Akademisë së Arteve, e drejtuar nga dirigjenti italian Vito Clemente. Numrat e baletit ekzekutohen nga nxënës të shkollës së mesme koreografike, nën drejtimin e koreografes Blerina Arbana. Skenografia është e Attivisimo Doravettit. Regjisor Petri Bozo, drejtor i orkestrës Isak Shehu, drejtor artistik Ibrahim Madhi.

Angjelopulos, sonte në TIFF-in special


Programi special i sotëm të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë i kushtohet filmit "Landscape in the mist" (127 min) të regjisorit grek Teos Angjelopulos. Ky realizim i vitit 1988 shfaqet sonte në orën 20.00 në kinemanë "Imperial". Luajnë aktorët Michalis Zeke, Tania Palaiologou dhe Stratos Tzortzoglou.


Filmi rrëfen udhëtimin drejt Gjermanisë të dy fëmijëve që kërkojnë të atin, me besimin se ai jeton atje. Në këtë rrugë ata ndeshin shumë njerëz, disa prej tyre argëtues, e disa të rrezikshëm, të cilët arrijnë deri edhe t'i lëndojnë ata.


"Landscape in the mist" është vlerësuar me çmime në disa festivale evropiane. Në vitin 1988 ai ka marrë çmim në Festivalin e Berlinit dhe "Luanin e Artë" në Venecia. Një vit më vonë, më 1989-ën, u vlerësua "Filmi më i mirë" nga Akademia Evropiane e Filmit.
Në ditët e fundit të festivalit, vetë regjisori, i ftuari special i Festivalit të këtij viti, do të jetë pjesëmarrës.


Kalaja e Tiranës zonë arkeologjike e kategorisë I


Këshilli i ministrave vendosi dje për "Shpalljen e Kalasë së Tiranës zonë arkeologjike "A"" dhe miratimin e rregullores së administrimit të saj.


Në mbështetje të ligjit "Për trashëgiminë kulturore", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave e mori këtë vendim duke u bazuar në hartën Zonës Historike të qytetit dhe monumenteve të saj të kulturës.


KM ngarkon Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe organet e njësisë së qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›