E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet ligji anti-mafia. Berisha: Do veprojë mbi kupolën e Ramës

Kuvendi miratoi dje ligjin. Prokuroria do të sekuestrojë pronat me indicie dhe ndaj çdo personi pavarësisht se për të nuk ka nisur hetimi


TIRANË- Kushdo që ka një pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, pavarësisht se çfarë vlere ka apo në çfarë kohe ajo është krijuar, do të duhet që ti vërtetojë organeve të drejtësisë prejardhjen e saj.


Pavarësisht kundërshtimit të aktorëve të sistemit të drejtësisë, prokurorëve dhe avokatëve, si dhe në kundërshtim me vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë të vitit 2007, mazhoranca e djathtë ka miratuar mbrëmë disa ndryshime tepër thelbësore në ligjin e shumëdebatuar "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar", ose siç njihet ndryshe në zhargonin e përditshëm ligjin antimafie, të cilin ajo ka deklaruar se do ta përdorë edhe ndaj kundërshtarëve politikë dhe mbështetësve të tyre që jo rrallë herë këto ditë i ka konsideruar si pjesë të mafies ekonomike.


Miratimi


Në një moment tepër delikat, kur klima politike është acaruar së tepërmi dhe ku palët në konflikt janë përfshirë në akuza dhe kundër-akuza për korrupsion dhe përfitime të pasurive në rrugë të paligjshme, shumica e djathtë ka miratuar dje në seancë plenare me 74 vota pro ligjin "antimafie", sipas të cilit cilido që jo vetëm ka një pasuri, por edhe që jeton në kushte jetese të pajustifikueshme do ti sekuestrohet dhe më pas konfiskohet pasuria.


Duke mbrojtur draftin që më pas do të bëhej ligj, kreu i qeverisë Sali Berisha e ka vlerësuar atë si një nga nismat më të rëndësishme të kësaj mazhorance dhe të këtij Kuvendi në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.


Por ndërkohë, ai megjithëse ka mohuar që ligji nuk do të përdoret politikisht, në fjalën e vet ka paralajmëruar se objekt i tij do të jenë pikërisht të gjitha ato biznese të cilat vetëm dy ditë më parë nga foltorja e kryeministrisë i konsiderojë si pjesë e mafies që mbështetë opozitën.


"Ne nuk çmontuam dot mafien, sepse u desh të paralizonim probleme të tjera më madhore. Sot Edvin Rama iu shprehu solidaritetin kupolës së mafies me të cilën ka ndarë 750 milionë euro. Unë i them z.Rama se koha kur ti mbaje peng zgjedhjet dhe procesin zgjedhor, për të mbrojtur dhe për të vepruar siç ke vepruar duke i dhënë të gjitha lejet e ndërtimit klanit të kupolës së mafies së ndërtimit ka marrë fund. Ligji do të veprojë me gjithë forcën e tij", - tha më tej Berisha.


Ndërsa përfaqësuesit e tjerë të mazhorancës kanë theksuar se ky ligj nuk bie në kundërshtim me vendimin unifikues të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007 sipas të cilit ndalohet sekuestrimi dhe konfiskimi i të gjitha aseteve, fondeve apo pasurive të tjera, të blera ose fituara nga personat e dënuar para se ndaj tyre të hapej çështja penale.


Ligji


Ndryshimet e miratuara dje nga Kuvendi bëjnë të mundur që organet e prokurorisë apo agjenci të tjera shtetërore mund të kërkojnë sekuestrimin e pasurive ndaj të gjithë atyre personave, që jetojnë një kushte të pajustifikuara jetese.


Pra, qëllimi i këtij ligji është pikërisht parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar përmes konfiskimit të pasurive të personave të cilët kanë një standard të pajustifikuar jetese, si rezultat i aktivitetit të dyshuar kriminal.


Megjithatë, dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar vetëm në indicie dhe jo provë, një dispozitë kjo që është kundërshtuar fort nga komuniteti i avokatëve, të cilët e kanë konsideruar atë si një mundësi për abuzim dhe goditje të diferencuar.


Kështu ligji parashikon konfiskim të pasurisë bazuar në indicie për: a) pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe te strukturuara kriminale, b) pjesëmarrje në organizata terroriste ose në bana të armatosura, c) kryerjen e veprave të tjera për qëllime terroriste, si dhe kryerjen e krimeve për qëllime të fitimit të pasurive të paligjshme, të gjitha sa më sipër të parashikuara në nene të mirëpërcaktuara nga Kodi Penal.


Përpos faktit se prokuroria mund të kërkojë sekuestrimin e pasurisë bazuar vetëm në indicie, (shenja), ndryshimet nuk kanë përgjigje përsa i përket dëmshpërblimit të personave të cilëve pavarësisht se u sekuestrua pasuria kanë dalë të pafajshëm, pra në rastet kur ndaj tyre rrëzoheshin dyshimet.


Ky kuadër i ri ligjor do të zbatohen edhe ndaj pasurive të personave të afërm si dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes.


Por ajo që është më e rëndësishme është fakti se ligji i ri përcakton gjithashtu se në të gjitha rastet e sekuestrove, barra e provës i bie individit, i cili duhet të faktojë se në ç'mënyrë e ka vënë një pasuri të caktuar, qoftë kjo pasuri monetare, ashtu edhe e konvertuar në sende, siç mund të jenë prona, vila, pallate, makina etj.


Ligji në fjalë ka gjetur kundërshtimin e prokurorëve, të cilët evidentojnë një sërë problemesh që cenojnë legjislacionin kushtetues, siç është edhe sekuestrimi i pasurisë pavarësisht se ndaj personit nuk ka nisur ende hetimi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›