E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Kujdes me politikat fiskale

Guvenatori i BSH-së bëri apel për një ristrukturim të politikave fiskale nga qeveria pas krizës ekonomike

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i rikujtoi edhe një herë qeverisë së vendit se nuk e ka kaluar plotësisht rrezikun nga kriza ekonomike globale.


Në fjalën e tij gjatë takimit të zhvilluar dje në Tiranë me homologë nga vendet e rajonit me temë, "Ndërtimi i kapaciteteve për hartimin dhe zbatimin e politikave", Fullani theksoi se vendi nuk e ka shmangur ende rrezikun e krizës dhe se është e nevojshme që të tregohet kujdes në hartimin e politikave fiskale.


"Ndërkohë që ende nuk jemi jashtë rrezikut, është e rëndësishme të sigurohemi që oreksi i madh fiskal i vitit të kaluar që karakterizoi tërë rajonin, nuk do të vazhdojë të jetë fenomen mbizotërues i këtij normaliteti të ri.


Aksioni ynë i momentit duhet të ndalet imtësisht në gjykimin e thellë të secilit prej elementëve të veçantë të regjimeve të politikave tona, duke filluar që nga hartimi i politikave monetare e duke vazhduar me ankorimin e tyre si dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për efikasitet më të madh të politikës monetare në të ardhmen", - tha Fullani.


Më tej ai shtoi në një periudhë kur është shmangur rreziku më i madh nga kriza duhet nisur me vlerësimin e dëmeve anësore të shkaktuara nga reagimi ndaj presioneve të krizës globale. Sipas Fullanit, është e nevojshme që të analizohet me kujdes efektiviteti i politikave afatshkurtra. "Tashmë që ne kemi arritur të shmangim krizën, duhet të nisim vlerësimin e dëmeve anësore që ka shkaktuar reagimi ynë ndaj presioneve të krizës.


Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme të vlerësojmë jo vetëm qëndrueshmërinë afatgjatë të ekuilibrave të rajonit, por duhet të analizojmë me kujdes dhe efektivitetin e politikave tona afatshkurtra", - tha ai
Në takimin i cili vazhdon punimet edhe sot, merrnin pjesë guvernatorë të Bankave nga vendet e rajonit si edhe përfaqësues të ministrive të financave nga këto shtete.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›