Treg i ri për shitësit ambulantë në Lushnjë, pas 30 vitesh në rrugë, tregtarët drejt sistemimit

Pas më shumë se 30 vitesh aktivitet në trotuaret e lagjeve, tregtarët ambulantë të fruta-perimeve në Lushnjë pritet të sistemohen në një treg të ri të dedikuar. Aktualisht ata janë zhvendosur përkohësisht pranë zonës ku do të ndërtohet investimi dhe shpresojnë që punimet të përfundojnë sa më shpejt.
Sipas projektit, tregu në lagjen “Skënder Libohova” do të ofrojë ambiente të mbuluara, kushte higjieno-sanitare dhe infrastrukturë të organizuar, duke i dhënë fund shitjes në rrugë. Kryebashkiakja Eriselda Sefa thotë se investimi është pjesë e planit për formalizimin e tregtisë ambulante.
“Në atë markatë do të ketë hapësira për 10 tregtarë, nisur kjo edhe nga numri i tregtarëve që kanë shitur gjithë këto vite, të cilat do të jenë edhe në formën e dyqaneve në mënyrë që siguria e mallrave, por patjetër edhe siguria e higjenës të jetë më cilësinë më të mire dhe e gjithë kjo hapësirë do të kthehet në një hapësirë publike shlodhëse për qytetarët”, deklaroi kryebashkiakja e Lushnjës Eriselda Sefa.
Tregu i ri do të financohet tërësisht nga Bashkia e Lushnjës dhe pritet të përfundojë në muajin gusht, duke përmirësuar kushtet e tregtimit dhe imazhin urban të qytetit.
/RTSH/