Incident në Panaja të Vlorës, konfliktohet me punëtorët e rrugës, qëllon me armë dhe djeg automjetin e firmës

Një konflikt për motive të dobëta në fshatin Panaja të Vlorës ka degjeneruar në përdorimin e armëve dhe zjarrvënie të qëllimshme. Një 35-vjeçar është vënë në pranga nga forcat e rendit, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
Ngjarja ka rregjistruar autor shtetasin me inicialet E. A., 35 vjeç, banues në fshatin Panaja. Sipas të dhënave të para zyrtare, ky shtetas është përfshirë në një debat me punonjësit e një subjekti privat, i cili po kryente punime infrastrukturore për shtrimin e rrugës së fshatit.
Në rrjedhën e konfliktit e sipër, 35-vjeçari ka marrë një armë gjahu, me të cilën ka qëlluar në ajër duke kanosur punëtorët në kantier, si dhe i ka vënë zjarrin një automjeti kamionçinë në pronësi të firmës private.
Shërbimet e Policisë kanë zbritur menjëherë në vendngjarje pas sinjalizimit, duke bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar në ambientet e Komisariatit për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Gjatë operacionit, strukturat e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën e gjahut që dyshohet se u përdor gjatë incidentit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, po vijon kryerjen e veprimeve të nevojshme në terren për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
/rtsh.al/