E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibrahimaj: 6500 vende të lira pune në Portalin Kombëtar të Punësimit dhe Aftësive

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur sot se në Portalin Kombëtar të Punësimit dhe Aftësive “Puna.gov.al” janë shpallur aktualisht 6500 vende të lira pune në sektorë të ndryshëm, të hapura për aplikim nga qytetarët shqiptarë. 

Ibrahimaj theksoi se portali ofron mundësi për të gjitha nivelet arsimore dhe është krijuar për të mbështetur tregun shqiptar të punës. 

“6500 vende të lira pune të shpallura në portalin [www.puna.gov.al](http://www.puna.gov.al). Apliko online, shpejt dhe lehtë, në portalin [www.puna.gov.al](http://www.puna.gov.al). Nëse keni nevojë për asistencë, drejtohuni pranë zyrës së punës më të afërt, ose na shkruani në email apo në WhatsApp për çdo pyetje apo ndihmë gjatë aplikimit,” – shkruan ministrja, krahas një videoje informuese. 

Portali Puna.gov.al funksionon si platforma unike ku shpallen të gjitha vendet e lira të punës në administratën publike, por nuk kufizohet vetëm te shërbimi civil.

Ai përfshin të gjitha strukturat dhe institucionet shtetërore, duke rritur transparencën dhe aksesin e barabartë për qytetarët. 

Ky sistem synon të thjeshtojë procesin e aplikimit, veçanërisht për të rinjtë, duke ofruar një mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë për të gjetur punë. 

Ministrja Ibrahimaj e përmbylli njoftimin me një thirrje se  “Qindra pozicione në sektorë të ndryshëm janë të disponueshme për aplikim, për të gjitha nivelet arsimore. Apliko online, shpejt dhe lehtë!” 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›