E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregjet financiare sërish tronditje Euro situatën më të keqe këta 5 vjet

“British Petroleum” humbet shumë në aksione, ndërsa kompania mund të penalizohet shumë në të ardhmen

Stoqet botërore anë pësuar rënie të madhe sërish dje ndërsa edhe ka vazhduar rënien e lirë. Sa për monedhën e përbashkët ajo ka kapur dje pikën më të ulët të këtyre 5 viteve të fundit krahasuar me monedhat e tjera, kryesisht me dollarin amerikan. Frika nga përhapja e krisës në Eurozonë jo vetëm që nuk është zhdukur, por vazhdon që të qëndrojë nderur mbi financat dhe tregjet financiare të të gjithë botës. Banka Qendrore Europiane paralajmëroi dje se bankat e vendeve të Eurozonës mund të përballeshin shumë shpejt me një valë të re të humbjes nga kreditë e këqija. Bëhet fjalë për një shumë prej 195 miliardë eurosh. Por kjo do të ketë një shtrirje prej 18 muajsh dhe vjen falë krizës në të cilën ndodhet aktualisht euroja. Një paralajmërim i tillë i ka futur tregjet financiare të të gjithë botës në një situatë edhe më të pasigurt dhe dje bursat e të gjithë kryeqendrave financiare kanë pasur një ditë jo të mirë. Monedha europiane është ajo që po shënon një rënie shumë të madhe. Që nga muaji maj ajo ka rënë me 7%. Këto të dhëna flasin për problemet strukturore të monedhës së përbashkët. Ndërkaq, në ditë të keqe kanë qenë dje aksionet e “British Petroleum”, i cili ka pësuar një humbje prej 13% duke qenë se asnjë përpjekje nuk po jep rezultat për të ndaluar rrjedhjen e dy tubave të naftës, të cilat i kanë shkaktuar ndërkohë kompanisë një humbje prej miliarda dollarësh. Frika është se rrjedhja do të vazhdojë edhe për dy muaj të tjerë. Sipas burimeve të kompanisë, fatura për pastrimin e deritanishëm të oqeanit kishte kapur shifrën prej 1 miliardë dollarësh. Dje është shënuar rënia më e madhe e aksioneve këto 18 vitet e fundit dhe menjëherë janë “zhdukur” rreth 12 miliardë paund vlerë aksionesh të kompanisë. Kompania duhet që të paguajë shumë shpejt shuma të mëdha parash. Edhe pse sipas ligjit me këtë dëm BP i detyrohet qeverisë amerikane vetëm 75 milionë dollarë ndihmë, pritet që pas një rivlerësimi të ri dhe ndërhyrjeve të reja në ligj kompania të paguajë plot 10 miliardë dollarë. Tregjet janë shumë të ndjeshme ndaj këtyre humbjeve të mëdha dhe parashikohet që shumë shpejt kompania të ikë tërësisht nga Amerika dhe të mos i lejohet më asnjë kontratë me qeverinë amerikane dhe kjo pa një afat kohor.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›