E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksamil, lokalet do të shemben pas sezonit

Ndërtimorët Bojaxhi siguron bizneset buzë detit se nuk preken këtë verë

Ka shkuar në 140 dje numri i objekteve që janë shembur në qytezën e Ksamilit në ecurinë e operacionit “Pastrimi i Rivierës 2010” nisur një javë më parë në këtë komunë. “Pastrimi” i objekteve pa leje ditën e martë është përqendruar në zonën përreth zyrave të komunës. Po në këtë zonë është shembur gjithashtu edhe një ndërtim dykatësh, që prej kohësh ofronte shërbime diskoteke në qytezë.

Rreth orës 12:00, një grup qytetarësh ksamiljotë, disa prej të cilëve këshilltarë të Komunës së Ksamilit, si dhe biznesmenë, kanë kërkuar një takim me drejtorin e Inspektoratit Urbanistik Ndërtimor Kombëtar, Gjergj Bojaxhi. Pjesëmarrësit i kërkuan drejtuesit të operacionit të ndalen prishjet, veçanërisht për banesa ku jetojnë familjarë. Ndërsa për lokalet e ngritura buzë detit, edhe pse me material të lehtësuar, Bojaxhi u tha atyre që i kanë në përdorim se nuk do të ndërhyhet mbi to këtë sezon, por ato do të jenë objekt verifikimi pas sezonit. “Unë nuk do të vë fshesën - u shpreh Bojaxhi - por do të kontrolloj nga e para ndërtimet në anë të detit”. Ai u propozoi si zgjidhje që ato objekte buzë detit të mbeten publike dhe ata t’i marrin me qira nga komuna apo shteti për një, tre apo pesë vjet.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›