Tregojnë për vrasjet e serbëve...

Pasi hynë në fshatin Zahac në Kosovë më 14 maj, 1999, anëtarët e njësisë paramilitare “Çakallët” plaçkitën shtëpi, vodhën para dhe vranë civilë, tha dëshmitari në gjykatën në Beograd përmes një videolinku të mërkurën.
“Hynë në fshatin tonë dhe i pashë tek vranë tre persona në oborrin tim, ndërsa të katërtin e vranë një kilometër larg. Kjo është ajo çfarë pashë. Më vonë dëgjova se kishin vrarë njerëz të tjerë”, tha Salji Uka, fermer nga Zahaci, ku besohet se janë vrarë të paktën 18 civilë në sulm.
“I vunë zjarr hangarit, shtëpisë dhe gjedhëve. Një prej tyre më tha t’i jepja të gjitha paratë. Kisha rreth 1,300 marka gjermane dhe nuk e di se sa dinarë jugosllavë”, shtoi Uka.
Gjyqtari i kërkoi dëshmitarit të tregojë vrasësit, por dëshmitari tha se “është e pamundur t’i njohë duke qenë se të gjithë kishin veshur maska dhe mund t’u shihje vetëm sytë”. Dëshmitari shtoi se civilët e mbijetuar pastaj u larguan nga fshati nga frika për një sulm tjetër.
“U larguam dhe fjetëm në pyll. Kaluam dy ose tre muaj të fshehur. Askush nuk na tha të largoheshim nga fshati, u larguam vetë”, tha Uka.
Dëshmitari i dytë, Djoka Rasi, tha se pa gjashtë ushtarët që hynë në Zahac. “Gjashtë ushtarë të maskuar erdhën dhe kontrolluan shtëpitë. Na rrahën me pushkë, hynë në oborr. Rrahën djalin tim të mesëm”, tha Rasi.
“Pastaj na ndanë në dy kolona dhe na vunë në traktor. Pastaj i thanë Azil Mehmetit të zbriste nga traktori. Dhe e ekzekutuan në vend”, shtoi Rasi.
Prokurori serb për krime lufte akuzon disa ish-ushtarë për krimet e kryera në Kosovë. Ata janë përgjegjës për vdekjen e mbi 100 shqiptarëve të pafajshëm në Zahac, Pavlan, Ljubenic dhe Qyshk gjatë konfliktit në Kosovë në vitin 1999. /BIRN Beograd/