E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtia e përgjakshme në shkretëtirë

Me mijëra refugjatë vdesin në shkretëtirën Sinai në Egjipt, në mënyrë që të tjerët të jetojnë me ndihmën e organeve të tyre. Trafiku me organe është shndërruar në një prej bizneseve më dobiprurëse të mafisë.

Me një automjet të rëndë mjekët nisën nga Kajro në drejtim të Gadishullit të Sinait, ku nuk ka pushtet të ligjit. Tendat mobile për operacion dhe arkat sterile për ngrirje i kanë pranë vetës. Shënjestra e tyre janë një grup i refugjatëve, të cilët kanë rënë në duart e beduinëve të paskrupullt.

Por mjekët nuk shkojnë atje për të ndihmuar. Jo, përkundrazi, ata i sjellin refugjatëve një vdekje të mundimshme.

Ngase mjekët e korruptuar nga Kajro bashkëpunojnë me beduinët. Dhe ata në këtë rajon shkojnë për një arsye të vetme: ata dëshirojnë organet e të rinjve. Veshkët shitën mjaft mirë, e gjithashtu edhe mëlçia e shëndoshë.

Me një shikim vëzhgues ata ndajnë refugjatët dhe bëjnë me gisht në drejtim të meshkujve dhe femrave, të cilët atyre ju dukën të shëndoshë, kështu së paku rrëfen një bashkëpunëtor egjiptian i organizatës për të drejta të njeriut, New Generation Foundation for Human Rights.

Edhe ai vetë fillimisht nuk ka mundur të besojë, thotë Hamdi Al Azzazy. “Gjithmonë kam menduar se heqja e organeve është e mundur vetëm në klinika të mëdha”. Por më pas ai kuptoi se gjërat mund të bëhen edhe ndryshe.

Në Kajro, rreth 300 kilometra larg Sinait, drejtësia ka njohuri për këtë tmerr. “Mjekët i prenë njerëzit, e më pas nxjerrin atë që ju nevojitet”, thotë ish-shefi i mjekësisë ligjore në Kajro, Fakhri Saleh.

“Më pas i lënë njerëzit të vdesin. Mafisë nuk i intereson se a jeton apo vdes. Për të me rëndësi është vetëm biznesi dhe ai është mjaft dobiprurës. Vetëm me shitje të armatimit nuk mund të fitohen para”, thotë Azzazy. Kjo do të thotë se tregtia me organe sot është një biznes më dobiprurës, se sa trafikimi i drogës apo prostitucioni.

Tregtia ilegale me organe po lulëzon që moti në gjithë botën. Para pesë viteve, në SHBA u zbulua rasti i parë spektakular. Atëbotë, pesë të akuzuar u dënuan me dënime shumëvjeçare me burg. Për pesë vite me radhë, me ndihmën e certifikatave të falsifikuara të vdekjes dhe të donacionit të organeve, ata kanë vjedhur organet dhe eshtrat e 1077 kufomave, të cilat i kanë shitur disa miliona dollarë.

“Tregtia ilegale me njerëz, me qëllim të përdorimit të organeve të tyre, në veçanti të veshkave, është një lami e aktiviteteve kriminale, që po rritet me shpejtësi”, thekson Interpoli.

Në të gjitha shtetet Perëndimore listat e personave, të cilët presin transplantim, janë të gjata. Donatorë ka shumë pak. Në vitin 2005, rreth 40 mijë persona nga Evropa Perëndimore ishin në pritje të një veshke. Atëbotë, koha e pritjes ishte mesatarisht dy vjet, ndërsa sot ajo arrin në pesë vjet e më tepër.

Qysh moti kriminaliteti i organizuar ka vërejtur diskrepancën mes kërkesave dhe ofertës dhe ka nxjerrë mësim nga kjo. “Kriminelët shfrytëzuan rastin”, konfirmon Interpoli. “Në shtetet e zhvilluara, me popullatë të plakur dhe me shtim të sëmundjes së sheqerit, bëhet i domosdoshëm një numër më i madh i transplantimit të organeve. Dhe ky krim bëhet edhe më dobiprurës”, thekson Interpoli.

Është vështirë të sigurosh shifra se sa fitojnë për çdo vit kriminelët anembanë botës, nga tregtia me organe. Por nuk është fshehtësi që pacientët e pasur janë të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha.

Por refugjatët në Sinai nuk kanë asnjë ide për atë se çfarë po ndodh. Ata janë këtu, ngase shpresojnë për një jetë më të mirë në Izrael. “Tri e katërta prej tyre vijnë nga Sudani, një e treta nga Eritrea”, thotë Frederik Pleitgen, i cili për CNN-in ka hetuar këtë dukuri.

Të rinjtë fatin e tyre ja besojnë organizatave të kontrabanduesve. Ata paguajnë mesatarisht nga 2 mijë euro për person, për transportin nga vendlindjet e tyre deri në Sinai. Janë këto kursimet e një familje të tërë, të cilat i shpenzojnë për bijtë e tyre, me shpresë se ata do të gjejnë ndonjë punë të mirë në Izrael dhe të mbështesin më pas familjet e tyre.

“Vitin e kaluar, kufiri izraelit në këtë mënyrë u kalua nga 14 mijë refugjatë”, thotë Pleitgen.

Por shumë prej tyre nuk ja arrijnë qëllimit. Për ta, Sinai është stacioni përfundimtar, pasi që shpesh ndalen nga kriminelët beduinë. “Ata më pas kërkojnë me mijëra dollarë nga refugjatët, për t’i lejuar që të kalojnë në Izrael”, thotë Pleitger. Por pasi që ata nuk kanë për të paguar, mbesin nën mëshirën e beduinëve. Në këtë moment, pushtetarët e shkretëtirës propozojnë tregtinë vdekjeprurëse. Refugjatët duhet të japin organet e tyre, ngase ky është çmimi për udhëtimin e tyre në Izrael.

“Të gjitha këto gjëra ndodhin në më pak se pesë kilometra larg kufirit të Izraelit”, thotë Pleitger. Ai e përshkruan Sinain si një territor pa ligj dhe drejtësi.

(Die Welt)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›