Assad nuk lëshon pe

Në një intervistë të publikuar në “Sunday Times”, Assad theksoi se nuk do të tërhiqet pasi “rrezikohet uniteti dhe stabiliteti i vendit”.
“Konflikti do të vazhdojë dhe së bashku me të edhe presioni ndërkombëtar mbi Sirinë. Megjithatë, ne nuk kemi ndërmend të gjunjëzohemi dhe do të vazhdojmë t’i rezistojmë banditëve brenda vendit dhe kolonizatorëve jashtë tij”, theksoi Assad.
Ndërkohë, aktivistët lajmëruan se në orët e para të mëngjesit, një godinë qeveritare në Damask u trondit nga shpërthimi i një granate. Shpërthimet janë dëgjuar para agimit, në zonën Mazra, ndërsa sipas raporteve të para nuk ka të lënduar e as dëme materiale, thekson Komiteti opozitar lokal i koordinuar sirian.
Forcat e sigurisë janë shpërndarë rreth sheshit ku gjenet selia e BAAS-it, e cila sipas dëshmitarëve okularë, gjatë kohës së sulmit ka qenë pothuajse e zbrazur.
Përgjegjësinë për sulmin e mori organizata "Armata e lirë siriane", e cila është formuara nga dezertorët e forcave të rregullta të ushtrisë siriane.
Të paktën 27 persona humbën jetën në përballjet e përgjakshme gjatë të shtunës, midis të cilëve edhe katër agjentë të shërbimeve sekrete, të cilët ranë në një pritë të dezertorëve të ushtrisë, pranë qytetit të Hamës.