Deja’vu; Roza & Rudina
Fotoja siç e shihni të publikuar në gazetë është fragment ndalues nga filmi “Komisari i Dritës”, për të cilin punuan dy regjisorë, ku sipas episodeve ishin dhe operatorë - Viktor Gjika dhe Dhimitër Anagnosti. Personazhi është Rudina, e luajtur nga aktorja e njohur Roza Anagnosti. Ndërsa foton e ndeshim në katalogun e përgatitur në festivalin e filmit që po organizohet në Tiranë, në TIFF, si tribut për regjisorin Viktor Gjika, i ndarë nga jeta pak kohë më parë.
Programuesi i këtij festivali, shqiptaro-amerikani Thomas Logoreci, e sjell në vëmendje këtë foto, gati si një “deja’vu”, si një fotografi mahnitëse për nga kompozicioni i saj dhe konotacioni që ajo ka mbi Shqipërinë, porse e kanë bërë të hamendet mbi fatin e asaj copëze peizazhi ku kjo foto u shkrep.
“Gjatë konsultimit me koleksionin aq të pasur të Arkivës Qendrore Shtetërore të Filmit (AQFSH), më ra ndër duar një fotografi e jashtëzakonshme e Roza Anagnostit nga filmi “Komisari i Dritës” i Gjikës - një film klasik shqiptar realizuar në vitin 1966”, - thotë Logoreci. Rrëmuesi i arkivave të filmit shqiptar na çoi për herë të parë edhe në një rrëfim “deja’vu” të aktores Roza Anagnosti, si dedikim edhe për punën e regjisorit Viktor Gjika, edhe pse ajo shpreh rezerva se në këtë programacion të TIFF ka filma të tjerë me përfaqësues të regjisorit si “Debatiku”, apo “Rrugë të bardha”. Anagnosti së pari emocionohet krejt në të kundërt nga “nostalgjia” që është bërë modë poshtë e lart në qarqet e kineastëve.
Fotoja që ka ndalur kohën, në vitin 1966 është një histori që sa lidhet me diktaturën, aq dhe ndodhet larg saj. Anagnosti në rreth një orë bisedë mbi impresionin e sotëm mbi foto nuk e zë në gojë diktaturën, as ideologjinë. Herë i shmanget, por shumë e nxjerr jashtë loje. Sepse ky film për të ka një arsye të fuqishme për t’iu larguar paragjykimit nostalgjik. Është i vetmi film që të gjithë personazhet i ka psikologjikë, portrete të kompozuar mahnitshëm dhe peizazhe në kufijtë e piktorikes. “Ky film është i vetmi me karakter, i vetmi edhe si fotografi. Të gjithë aktorët deri tek episodikët siç ishte Liza Vorfi plotësonin zonën”. Ishte fillimi i kinemasë shqiptare dhe aktorja e rrëfen foton në atmosferën e asaj kohe kur artistët e rinj ishin mjaft entuziastë dhe romantikë.
- Filmimet janë bërë “të gënjeshtra” pasi historia na tregohet në zonat e Mirditës, Oroshit, ndërsa xhirimet janë realizuar në rrethinat e Tiranës. Ishte viti 1966 dhe aktorja e re, 22 vjeç, Roza Anagnosti e tregon në një realitet tjetër realizimin e filmit.
Është një film i përbashkët i regjisorit Viktor Gjika me Dhimitër Anagnostin, ku rolet mes tyre ndërroheshin, herë në një episod njëri ishte regjisor dhe tjetri operator dhe në të kundërt. Roza thotë se mes tyre nuk kishte kërcitje, kishte një harmoni të madhe në mënyrën e punës së tyre, sidomos në zbërthimin e koncepteve.
Ishte filmi i parë për operatorin dhe regjisorin. “Ndaj e mbaj mend si atmosferë tepër entuziaste, pasi ishin edhe fillimet e kinematografisë, kur ende nuk kishin nisur festivalet”, - tregon Roza.
-“Kam qenë 22 vjeç. Kam bërë një parapërgatitje të madhe për këtë film. Kemi qenë dy pretendente për Rudinën. Por qysh në kinoprovë e ndjeva veten Rudinë, u vesha menjëherë me fustanin e saj”, - tregon Roza momentin e marrjes së rolit kur sheh në të parën foton. Ajo thotë se pati zëra kundër për këtë rol, pa ndjerë se ato mund të ishin ndoshta dhe për shkak të të qenit bashkëshorte e regjisorit Dhimitër Anagnosti. Përshtypja e parë nga filmi, si rikujtesë në këtë rrëfim për Rozën është varfëria e madhe, e tejskajshme, me një “por” pas... se panorama e fotografisë është e mrekullueshme.
-Është interesante se si duhet parë sot ky film. Roza rikthehet në momentet kur njihet me skenarin, të shkruar nga Llazar Siliqi. Ajo tregon se në thellësi të tij filmi ka emancipimin e gruas dhe arsimimin e saj, duke nënkuptuar arsyen se ajo zonë dallohej për egërsinë e saj. “Ky ishte rasti i mirë për përhapjen e diturisë. Ishte pozitive”, - thotë Roza, duke mos e shkëputur dot zhytjen psikologjike me kohën, duke dhënë vetëm fenomenin social, si kërkim, si dukuri. Ishte faza e parë kur ideologjia po shtrihej me ritme të shpejta dhe sapo shfaqte shenjat e para të ndërhyrjes. Priftin që i ka zënë dorën dhe i ka ngulur gërshërët për t’i prerë balluket do të zëvendësohej me komisarin. Duke ngulur vështrimin mbi portretin e fotos, Roza menjëherë kthehet dhe thotë sikur bëri një gjetje gati të përsosur se “në fakt, kjo, ishte një kohë romantike për filmin”.
Aktorja thotë se aty pati rastin të takojë vajzat e krahinës. Ato kishin frikë, turp, por ishin të dëshiruara për zhvillim. “Vidheshin mbas peme duke të parë tinëz. Jo vetëm në fshat, por edhe në Tiranë, ishte i njëjti emocion kur shkonin grupet e xhirimit, ishte argëtuese për banorët”.
-Kjo është një zonë me shumë drama dhe histori, ndaj duhet konsideruar si kontribut ky fakt, thotë Roza kur sheh përtej portretit të saj në foto. Në Orosh ka qenë shkolla e vajzave, ishin shkolla fetare ku priftërinjtë sollën shumë zhvillim. Aktorja përmend Dora D’Istrian, çfarë kjo grua e ardhur bëri për zonën. Në Shkodër, kujton Roza u bënë një penë të artë si dhuratë, e shëtitën në të gjithë Shkodrën, dhe ja kanë dërguar në shenjë mirënjohje. Roza do ta tregojë këtë histori si një paralele paradoksi për “izolimin” e Oroshit, midis dëshirës dhe ndrydhjes. Është ndjesi kontributi, ku aktorja nuk e kalon pa thënë se pikërisht të gjithë historinë etnografike të zonës së Oroshit, bashkë me dhuratën që iu bë përmenden me krenari në librat e saj.
- “Duhet kuptuar nga fotoja, sepse ka dhunim. Ajo është e pastër, me dramë të brendshme dhe më kujtohet se Viktori në këtë episod ka bërë regjinë, ndërsa Dhimitri ishte operator”. Çfarë reflekton me ditët e sotme aktorja është se në zonat rurale problem vazhdon të jetë mentaliteti. “Jemi shumë të ngadaltë në zhvillim. Këtyre zonave iu një plugim i thellë, pasi ka akoma prapambetje të madhe, sidomos mendësia”. Duke mos rënë në shqisën gati të “ushqyer”, si një lloj mbartje nga demagogjia, Roza rrëfen historinë e një shqiptareje, mirditore që kishte emigruar në Greqi. “Kur mbaroi shfaqja “Medea”, për të cilën ishim ftuar në Greqi, një grua më solli lule dhe më uron duke më treguar se ishte shqiptare. Ishte nga zona e Mirditës, ku është xhiruar filmi. Arsyeja pse ishte në Greqi e ka shtyrë pikërisht mentaliteti, duke u shprehur se në ditët e sotme nuk do të donte të kthehej kurrë në Mirditë, tek fisi. Në Greqi ishte krejtësisht e çliruar. Aty kuptova sa pak ka ndryshuar qysh nga ajo shkrepje aparati, nga filmi. Shoqëria jonë ka nevojë të civilizohet, të ecë, duhen prekur këto çështje, që ndryshimi të jetë më i shpejtë”.
Dora tjetër që mban fort të shtrënguar Rudinën në foto, i kujton Kanunin Rozës. E njeh këtë libër, e ka lexuar. Por ajo ndalet në rregullat dhe nenet e saj duke u shprehur se i vlerëson ato për shkak të mbrojtjes së njerëzve, por që gruan e diskriminon shumë. “Pikërisht mbi këtë kam bërë kërkime në rolet e mia”.
-Ka qenë 15 vjeç, kur ka bërë rolin e parë filmik me regjisorin Viktor Gjika. Roza Anagnosti e ka ndalur atë çast duke kujtuar nga fotoja bashkëpunimin me regjisorin, si tribut që e sjell në homazhin që organizon TIFF duke shfaqur tri filma, “Debatikun”, “Rrugë të bardha” dhe “Komisarin e Dritës”. “Ishte një rol pa fjalë, mbi një vepër të Migjenit, me murgeshat, por për mua ishte pasuri në këtë bashkëpunim të parë me Viktorin”. Roza e mban mend qysh në atë kohë dhe në gjithë jetën e tij si një regjisor i vrullshëm, energjik. Roza tregon se edhe nga privilegji i të qenit bashkëshorte e një prej regjisorëve, ka qenë shumë pranë filmit, duke vlerësuar se në bashkëpunimin mes Dhimitrit dhe Viktorit nuk ka pasur asnjë kërcitje. Këtu i jap të drejtë Logorecit – pa folur për politizimin, thotë Roza - se në këtë film është bërë art. Arsyeja e saj është e thjeshtë që vjen nga shikimi mbi foton, që frymëzon akoma, që ngacmon ndjesi dhe kjo do të thotë se është bërë një vlerë. Për këtë aktorja e konsideron si një rol të vërtetë, me të cilën u ndje menjëherë shumë pranë.
- Filmi si mbresë, fotografia si memorie, ndërsa Roza thotë se ka shumë kujtime nga filmi “Komisari i dritës”. E parë sot, Rudina e filmit mori konotacionin e adhurimit qoftë dhe nga emri. “Këto kujtime sidomos më vijnë nga mbresat e njerëzve dhe fëmijët. Mbasi filmi u shfaq, u bë fenomen emri. Ishte një impakt i menjëhershëm. Pati rekord vajzash me emrin Rudina”.
-Prifti, dora e priftit është enigma më e madhe e historisë që lidhet me aksionin e partisë për të denigruar priftërinjtë dhe për të shkatërruar besimin e shqiptarëve. Ndërsa Roza thotë se “Zoti më dhuroi kokën, si portret kinematografik”, ky dedikim ka ironinë me ngjarjet e asaj kohe. Një prift që kryen mëkat, që tenton të përdhunojë Rudinën - nuk është rasti i parë i priftit në kinemanë tonë që e diskriminon si njeri mëkatar. Kujtojmë këtu dhe përralla nga e kaluara të Dhimitër Anagnostit, që e përdor të njëjtën atmosferë në raport me gjykimin mbi priftërinjtë. Ky mbetet një mister për familjen Anagnosti.
-Vrulli i afrimimit të aktorëve dhe regjisorëve. Në foto janë dhe dy duar që të japin ndjesinë e dhunës, ashtu sikurse portreti symbyllur i Rudinës duke iu nënshtruar fatalizmit “kanunor”, një lloj interpretimi, por dhe ngasje nga kujdesi se si diktatura depërtoi gradualisht në zemrat e njerëzve, besimin e tyre, për të mos iu kthyer në bumerang, derisa ndodhi shpëlarja e trurit. Deri në këtë fat të fundit, aktorja sigurisht nuk depërton, sepse filmi është vetëm fillimi. Për këtë arsye e gjejmë me vend të themi se portretet, psikologjia, karakteret janë krejtësisht të pastër në këtë film. Këtu vjen reflektimi evokues i aktores, kur thotë se në atë kohë ky film ishte edhe një model marrëdhëniesh mes kolegëve. “Atëherë e ndihmonin shumë njëri-tjetrin. Çdo gjë ishte në atmosferën e entuziazmit. Të gjithë donim profesionin. Kishte një vrull të madh të aktorëve dhe regjisorëve për t’u afirmuar”. Roza thotë se aktorët e kishin disi më të lehtë, ndërsa ishin regjisorët ata që iu “nënshtroheshin” urdhrave, indoktrinimit, kontrollit dhe censurës njëkohësisht në diktaturë. “Unë nuk kam pas role revolucionare. Rudina është mjaft romantike”, - kështu vjen përjetimi real, pa ndryshuar asgjë nga ndjesitë që ka provuar aktorja qysh nga dita e parë e rolit.
- Foto si një pikturë. Sfondi që ofron fotoja, si dhe çdo meditim mbi të e bëjnë aktoren që ta perceptojë sot si një kornizë që mund të varet mbi mur e të kundrohet si një pikturë. “Duart që e detyrojnë, që mbërthejnë vajzën, gati si jetë. Mali tregon lashtësinë, dëshmia e madhe e asaj zone për dituri që më ndërmend familje të fisme që e kanë kërkuar zhvillimin. Është një zonë minierë”. Ndërsa një foto e tillë, po me këtë përmasë madhështie Roza tregon se i ka ardhur edhe nga Franca. Para ’90-ës një regjisor francez, që kishte studio në Paris dhe mbante foto të rralla nga filmat të cilat edhe i shiste. Roza thotë se ishte një periudhë kur filmat dilnin jashtë shtetit dhe organizoheshin javë filmash. Kjo është pak histori e errët për filmin tonë se si është proceduar në diktaturë kur njohim dhe eksperiencën kineze, të blerjes së filmave. “Por kam përshtypjen se do të vijë momenti të studiohet dhe kjo anë”, - thotë Roza duke ndalur në një zonë përsëri groteske për diktaturën.
- Zverdhja e flokëve është një aventurë. “Unë rezistova që të mos i zverdhja flokët”, - kujton në nënqeshje Roza. “Sigurisht që atëherë nuk kishte bojë, po i zbardhnim me oksigjen”. Roza kujton për ironi një nga grimierët më të mirë të kinostudios, në atë kohë, Llukan Bushin, i cili tentoi dy-tri herë për të arritur në zbardhjen e plotë të flokëve - si shenjë e një vajze që thyen të gjitha rregullat, por që ka dhe një bukuri natyrale, tipike malësore. Aktorja tregon se peripecia për të mbërritur tek ideja e regjisorëve ishte rraskapitëse, pasi fillimisht flokët i marrin të kuqe, derisa koka iu bë plagë. “Është interesante se akoma nuk kishte filluar mbajtja e femrës, me këto makiazhet. Ishte mentalitet edhe kjo gjë”.
-Kjo foto sado artistike, sado e bukur, sado dramatike dhe romantike është një “zhgënjim” për plejadën që iu dhanë kinematografisë në atë kohë. Izolimi i la të panjohur jashtë kufijve, ua shpërdoroi talentin. Roza nuk ka keqardhje për asnjë nga këto “mure” të diktaturës, por përballë tyre ndjen rraskapitjen e kinemasë sot, kush ata janë në gjithë këtë histori shqiptare. “Ne si artistë nuk kemi marrë asgjë nga ajo kohë. Kur kam shkuar në Kosovë, isha shumë e njohur si Rudina dhe më kanë sjellë suvenire përmes Naim Frashëri për filmin”. Anagnosti evokon tjetër gjë nga diktatura një lloj “huaje”, që të rinjtë sot t’i marrin vrullit dhe energjisë së regjisorit Viktor Gjika, meqë ky rast i shkon si dedikim. Ndërsa tregon se ndjek kineastët e rinj sheh filmat e tyre, por e sheh të vështirë në ditët e sotme të dalin talentet. Një portret femëror kërkon natyrshmëri. “Unë nuk di të këshilloj, unë di të bëj rol. Në atë kohë kur luaja në këtë film isha vajzë e re, dhe duhej të luajtur fort. Duhej të ishe rigoroze, e saktë. Në fillim, atëherë, kishte shumë pak artistë, më pas u pa se arti është i bukur dhe u shtuan prurjet. Unë e kam quajtur gjithmonë veten si një gjë e natyrshme - që kërkon shpirtin. Ajo fytyrë në foto, shpreh shumë dramë. Kjo është çfarë mungon sot”.