E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtimi i gazit. Inspektoriati: Jashtë standardeve

Nga Ermelinda Hoxhaj
Rreth 80 pika të shitjes me pakicë të gazit të lëngshëm, 23 prej të cilave në kryeqytet, para disa muajsh janë paralajmëruar për bllokimin e tyre, nëse nuk eliminojnë rreziqet. 

TIRANE- Rreziku i pikave të shitjes së gazit është mjaft i lartë. Sipas Inspektoratit Qendror Teknik, niveli i teknologjisë që përdoret për mbushjen e bombulave të gazit në disa raste është në rrethana artizanale. Në lidhje me këtë problem është shprehur edhe Avokati i Popullit, ku nëpërmjet një shkrese drejtuar prefektit të Tiranës, Dobjani evidenton jo pak raste shkeljeje me rrezikshmëri të lartë gjatë aktivitetit të tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera në këto pika, të cilat ndodhen fare pranë zonave të banuara. "Nuk plotësojnë kushtet teknike të sigurisë, duke vënë në rrezik çdo ditë jetën e qytetarëve. Nuk kanë dokumentacionin në rregull për veprimtarinë që ushtrojnë; nuk kanë leje mjedisore dhe për më tepër i mbushin bombulat e gazit në mes të rrugës, madje ngjitur me oborret e shkollave". Ky është konkluzioni i një kontrolli të ushtruar në pikat e mbushjes me gaz të lëngët, si dhe në njësitë e shitjes së gazit për veturat dhe karburantet në vend. Në lidhje me këtë çështje dhe kreu i Inspektoratit Qendror Teknik, Ilir Kurti nuk mohon ekzistencën e një problematike të tillë, për të cilën muaj më parë deklaroi se në mbi 50% të rasteve të evidentuara janë vërejtur shkelje flagrante. Ku rreth 80 pika të shitjes me pakicë të gazit të lëngshëm, 23 prej të cilave në kryeqytet u janë dhënë urdhra bllokimi për shkak se nuk përmbushnin kushtet teknike të sigurisë. Veç të tjerave, Kurti një pjesë të problemit ia ka faturuar pushtetit vendor, ku mes të tjerave ai ka thënë se
"pikat e shitjes së gazit të lëngshëm në Tiranë s'kanë autorizimin e Bashkisë. Nga pikëpamja teknike, ato konsiderohen të rregullta. Kushtet e sigurisë nuk janë dhe aq keq, por distancat janë anormale. Ky është një problem i pushtetit lokal. Në të tilla raste, ne kemi marrë masat tona duke mos i lejuar këto aktivitete të paligjshme dhe i kemi bllokuar ato". Tregtimi i gazit të lëngshëm dhe karburanteve fare pranë zonave të banuara, jo rrallë herë është kthyer në kërcënim serioz për jetën e banorëve.
Rreziku i pikave të shitjes së gazit është mjaft i lartë, ku sipas Inspektoratit Qendror Teknik, niveli i teknologjisë që përdoret për mbushjen e gazit shkon deri në rrethana artizanale. Shqetësim në këtë periudhë përbën edhe shitja e bombulave të gazit në dyqanet e produkteve ushqimore. Më qartë këtë situatë problematike e tregojnë rastet kur ka pasur shpërthime të depozitave apo të bombulave të gazit, si rasti i shpërthimit në Berat, ku humbën jetën babë e bijë; viktima në Vlorë, si dhe shpërthimi i një pike që tregtonte gaz në Korçë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›