E Martë, 3 Nëntor 2026

Tregtuan mish pule me salmonelë, procedohet administratori dhe 3 inspektorë të AKU

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Policia e Tiranës ka ndërmarrë një aksion në lidhje me importin dhe hedhjen për tregtim të mishit të pulës të kontaminuar me salmonelë nga Brazili.

Policia e Shtetit njoftoi sot se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë që tentoi të fuste në Shqipëri një ngarkesë prej 18,5 tonësh gjoks pule të kontaminuar si dhe ka proceduar penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›