E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu europian i automjeteve ne veshtiresi

Bie për të katërtin vit radhazi, sektori evropian i automjeteve. 2011 përfundon me një tkurrje me 1, 4% të tregut në krahasim me vitin 2010. Ndërkohë që edhe për 2012 tregu europian i makinave gjendet në vështirësi të mëdha. Sipas parashikimeve të agjensisë ndërkombëtare Moody’s, viti 2012 do të shënojë për Europën një rënie të tregut automobilistik. Sipas agjensisë, numri i shitjeve të automjeteve të reja do të ulet me 10% në Francë, me 7% në Britaninë e Madhe dhe po në të njëjtin nivel edhe në Itali. Kompanitë automobilistike në këto vende do të goditen më shumë nga masat shtrënguese të qeverive, nga klima e vështirë ekonomike si dhe nga rënia në konsumin e familjeve. Për të gjithë tregun europian agjencia vlerëson një ulje të shitjeve me 6,2% përgjatë 2012-ës, ndërkohë që për tregun global parashikon një rritje të shitjeve me 4,4%. Ndryshe paraqiten pritjet për shtijet e makinave për vitin 2013, si për Europën ashtu edhe në nivel global, respektivisht me 3% më shumë dhe 4,5%, mbështetur në një rritje graduale të ekonomisë. Në këtë situatë të rënduar ekonomike, kërkesa për automjete është bërë më e vështirë edhe nga rritja e cmimit të karburanteve dhe taksat. Ndërkohë që prej shumë vitesh qeveritë nuk e kanë mbështetur më tregun automobilistik me programe stimuluese, përmes paketave të subvencionimit. Nga studimet e bëra mbi tregun automobilistik, rezulton se përgjatë vitit të kaluar ka patur një rënie të numrit të klientëve me 28% nga mosha 18-30 vjec, ndërkohë janë shtuar blerjet nga mosha mbi 65 vjec. Përsa i përket kategorisë së makinave, më në vështirësi gjenden automjetet e vogla, ndërsa shtohen shitjet e makinave utilitare. Por ndryshe nga rezultatet e shitjeve në BE ka pasur të dhëna pozitive përsa i përket emetimit të dioksidit të karbonit në atmosferë nga ana e automjeteve, për shkak të daljes nga qarkullimi të makinave të vjetra që ndotin mjedisin. Industria automobilistike tashmë gjendet përballë sfidave të reja, reduktimi i kostove, rritja e prodhimit dhe plotësimi i kërkesave të reja të konsumatorëve. Sfida lidhet si me konkurrencën ashtu edhe më aleancat e duhura mes kompanive prodhuese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›