Firma me dy punëtorë i premton Berishës investim 2 miliard dollarë
Një firmë e vogël në SHBA, ka prezantuar të shtunën në Tiranë një mega-projekt ndërtimor dhe turistik, për të cilin shifra shkon deri në 2 miliardë dollarë. Pas këtyre shifrave astronomike fshihen aksionerë që në SHBA kanë ndërmarrje me dy punëtorë dhe bilanc modest në shitje. Firma në fjalë është SIVA Partners që prezantoi të shtunën në Sheraton një projekt gjigand për një resort turistik, ku, përveç fushave të golfit e porteve për jahte tashmë të dëgjuara deklaron se është e gatshme të ndërtojë edhe dy kulla binjake, me nga 75 kate secila. Projekti do të realizohej në grykëderdhjen e Vjosës, në 505 hektarë, në një zonë të mbrojtur nga laguna e Nartës dhe vlera e saj do të luhatej nga 1.5 deri në 2 miliardë dollarë. Në qendër të këtij projekti ndodhet një super-kazino. Me fjalë të tjera, investitorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pretendojnë të ndërtojnë një Atlantik Siti në brigjet e Adriatikut në kulmin e krizës globale, një qendër të turizmit elitar, që do të ofronte vend për anijet luksoze nga më të mëdhatë dhe kaq shumë vende për bixhozxhinjtë e botës, sa do të rivalizonte çdo port tjetër turistik në Mesdhe.
Më 20 janar 2012, ky grup investitorësh u prit edhe në zyrën e kryeministrit Sali Berisha, ku kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të japë dritën jeshile për investime të tilla, aq më tepër që amerikanët synojnë edhe sektorë të tjerë.
Presidenti i Grupit “SIVA Partners”, Simon Elyakim, i prezantoi më 20 janar kryeministrit Berisha projektin “The Millennium Casino & Resort”, që konsistonte në ndërtimin e një resorti turistik me vila dhe hotele, fusha tenisi, golfi dhe kazino. Ky projekt, tha ai, është rezultat i klimës tërheqëse të biznesit në Shqipëri, i gjeografisë së saj dhe klimës shumë tërheqëse për turistët. Ai synon krijimin e një qendre të madhe turistike në Ballkan. Po kështu, ai prezantoi portofolin e interesave të grupit për investime në Shqipëri në fushat e infrastrukturës, në rrugë, hekurudha, ku përfshihet edhe hekurudha Shqipëri-Kosovë, si dhe vepra të tjera si tunele, porte, në fushën e hidrokarbureve, përfshirë edhe privatizimin e Albpetrolit, etj, si dhe realizimin e tramvajit në Tiranë. Si zakonisht, para propozimeve të tilla, Berisha është ngazëllyer, duke thënë se kanë bërë shumë mirë që kanë përzgjedhur Shqipërinë, pasi qeveria e tij ka bërë shumë për të krijuar një klimë të përshtatshme për investimet e huaja.
Pas këtyre shifrave marramendëse fshihet një kompani – pak të thuash – modeste në tregun amerikan dhe botëror të të patundshmeve dhe investimeve, që mund të mburret deri tani vetëm me një hotel-vilë dykatësh në San Paolo të Brazilit. “Shtyllat” e këtij grupi të pretenduar janë dy shqiptarë: Valentin Gurraj (29 vjeç) dhe Gjergj Frangaj, rezidentë në SHBA. Ky i fundit është pronar i një kompanie punimesh mermeri, me dy punonjës dhe me 304 mijë dollarë shitje të deklaruara gjatë një viti, sipas të dhënave nga organet tatimore të Amerikës./shqiptarja.com