E Diel, 1 Nëntor 2026

Trekëndëshi Berisha-Meta-Topalli dhe kryeprokurori i ri

Nga Eduard Zaloshnja

Fill pasi Spartak Braho udhëhoqi me sukses ekipin mbrojtës të Ilir Metës në gjyqin famëkeq mbi video-përgjimin, ky i fundit përdori për të epitetet prokurori i përhershëm dhe kryeprokurori në pritje. Këto fjalë, të thëna publikisht nga Ilir Meta, parashikojnë një stuhi jo të vogël në trekëndëshin e Bermudës Berisha-Meta-Topalli.

Në sistemin tonë parademokratik, marrja e një posti përcaktohet shumë rrallë nga gara paralele meritokratike. Në shumicën e rasteve, janë lidhjet vertikale tribale ato që përcaktojnë se kush merr një post të rëndësishëm shtetëror. Dhe Meta shquhet për përdorimin e këtyre lidhjeve në konsolidimin e rolit të tij si udhëheqës i padiskutueshëm i partisë së vet. Në qoftë se ai ia ka premtuar realisht Spartak Brahos postin e kryeprokurorit (si shpërblim i mbylljes me sukses të çështjes së video-përtgjimit Meta- Prifti), do të zhburrërohet në sytë e tribusë LSI-ste, po të mos e mbajë premtimin.

Por që Meta të mbajë këtë premtim, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli duhet të gëlltisin disa pilula shumë të hidhura.

Së pari, Berisha duhet të gëlltisë akuzën që Braho i ka bërë në Kuvendin e Shqipërisë si informator i Sigurimit të Shtetit me nofkën Penicilina dhe si agjent i dyshuar i UDB-së jugosllave. Së dyti, Berisha duhet të kthejë mbrapsht akuzën që i ka bërë Brahos si organizator i fshehtë i atentatit me granatë, që për pak i mori jetën atij në një meting në rrethinat e Durrësit në vitin 1997.

Ndërsa Jozefina Topalli duhet të gëlltisë gjëra më të freskëta. Siç kam argumentuar në një artikull të paradokohshëm (http://www.respublica.al/opinion/2012/05/21/gjurmet-te-cojne-ne-kryeprokurori), manovrat e forta që bëri Meta për të bllokuar zgjedhjen e Topallit në postin e Presidentes së Republikës kishin si objektiv zgjedhjen e një njeriu që mund të emëronte një kandidaturë të tij për postin e kryeprokurorit. Dhe Nishani mund ta bëjë këtë gjë, por Topalli si zor tia falë Metës shuarjen e ëndërrës së saj presidenciale ajo e ka një grusht të vogël deputetësh me vete, sa për të bllokuar kandidaturën e Spartak Brahos.

Nëse do të mbytet anija e Spartak Brahos në trekëndëshin e Bermudës  Berisha-Meta-Topalli, mbetet të shihet. Por shenjat e stuhisë kanë filluar. Për shembull, Meta dhe zv.Kryeministri LSI-st Haxhinasto kanë dalë kundër idesë së referendumit për imunitetet, të trumbetuar aq fort nga Berisha & co.

[Qytetarët] mund të shprehen edhe me referendum [për imunitetet], por rruga më e mirë, më e shpejtë dhe më efikase është që të realizohet përmes një konsensusi parlamentar gjatë 2-3 javëve të ardhshme, tha Meta në një takim të të rinjve LSI-stë në Jalë.

LSI-ja nuk është për referendum, por për konsensus mes palëve. LSI-ja do të mbështesë heqjen e imunitetit brenda Parlamentit. Politika të fokusohet dhe të realizojë në mënyrën më të shpejtë të mundshme heqjen e imunitetit, për të ecur në cështjen e integrimit konform Kushtetuës, tha Haxhinasto në një takim me biznesin beratas.

Këto deklarata, megjithëse nuk kanë lidhje me kryeprokurorin e ri, mund të konsiderohen si vetëtimat e para që paralajmërojnë stuhinë që mund të shoqërojë emërimin e tij. Dhe të menjëhershme dhe më të drejtpërdrejta ishin rrufetë nga kampi berishian. Deputetët Tritan Shehu dhe Dashnor Sula, përkatësisht në televizionin Ora News dhe në gazetën MAPO, e bënë të qartë se emërimi i kryeprokurorit të ri nuk do të jetë produkt i një pakti PD-LSI (http://www.respublica.al/artikuj/2012/08/28/shehu-kryeprokurori-i-ri-zgjedhje-e-presidentit-jo-nje-pakt-pd-lsi ; http://www.respublica.al/artikuj/2012/08/28/mesazh-i-berishes-per-meten-ne-lidhje-me-spartak-brahon )

Këto që shkruajta më sipër bazohen në çfarë duket mbi ujë. Por nën ujë mund të jetë luajtur edhe një blof i Metës. Spartak Braho mund të ketë pranuar të bëhet kurban i këtij blofi, kur Meta përmendi për të epitetet prokuror i përhershëm dhe kryeprokuror në pritje. Duke luajtur kartën Braho, e cila mund të mos gëlltitet nga dyshja Berisha-Topalli, Meta ndoshta shpreson për një as tjetër të tij nën mëngë. Dhe përsëri mbetet të shihet nëse Berisha dhe Topalli do ta gëlltisin dot atë as tjetër. Përndryshe, mund të kemi një përplasje të fortë në Kuvend mes PD-së dhe LSI-së.

Duke analizuar kombinacionet e mundshme bizantine të luftës për kreun e ri të prokurorisë, të lind pyetja se përse mund të na interesojë ajo neve, njerzve jashtë politikës. Në fakt, në qoftë se zgjedhja e kryeprokurorit të ri bëhet pa prishjen e koalicionit PD-LSI, pak rëndësi ka se kush do të jetë ai. Por në qoftë se zgjedhja e kryeprokurorit të ri bëhet shkak për prishjen e koalicionit, mund të ulen shumë gjasat për ndëjtjen e Berishës në pushtet pas zgjedhjeve të 2013-ës është historia e zgjedhjeve të mëparshme që na e tregon këtë gjë

Dhe këtu lind një pyetje tjetër, gjegjësisht, se përse mund të na interesojë rotacioni i pushtetit pas zgjedhjeve të 2013-ës neve, njerëzve jashtë politikës. Përgjigjia ime e shkurtër është kjo: Rotacioni i pushtetit me zgjedhje është mekanizmi që e bën demokracinë të dallojë nga të gjithë sistemet e tjerë qeverisës. Dhe demokracia ka demonstruar deri më sot se, parë nga një këndvështrim afatgjatë, është sistemi më dobiprurës për një vend. Përgjigjen e gjatë do ta jap në një shkrim tjetër.

http://respublica.al/opinion/2012/08/30/trekendeshi-berisha-meta-topalli-dhe-kryeprokurori-i-ri

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›