E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trekëndëshi i brishtë”, policia, prokuroria dhe gjykatat

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), prezantoi sot në një konferencë për shtyp, një punim kërkimor e analitik mbi sundimin e ligjit në Kosovë.

Punimi i titulluar “Trekëndëshi i brishtë” vë në pah mangësitë në koordinimin e punëve ndërmjet tri institucioneve kryesore të sundimit të ligjit, policisë, prokurorisë publike dhe gjykatave, mungesën e komunikimit mes tyre dhe mungesën e mekanizmave për kontroll të kualitetit të punës në këto institucione.

Drejtori i hulumtimeve në KIPRED, Krenar Gashi, theksoi se sundimi i ligjit mbetet pika më e dobët e qeverisjes në Kosovë dhe njëherit sfida më e madhe për konsolidimin e plotë të shtetësisë së Kosovës.

“Ani pse sipas ligjit në fuqi, prokurorët duhet të jenë në krye të hetimeve, kjo nuk ndodhë në Kosovë. Policia nuk i jep përgjegjësi prokurorisë dhe ekziston një vakum në komunikimin formal dhe jo-formal mes këtyre institucioneve”, tha Gashi.

“Për më shumë, policia, prokuroria dhe gjykatat nuk kanë një bazë të shënimeve të përbashkët ku do të ruheshin të gjitha shënimet për procedimet penale”.

Ariana Qosaj - Mustafa, drejtoreshë për hulumtimeve të veçanta në KIPRED, theksoi rëndësinë e koordinimit të punëve mes institucioneve për sundim të ligjit. “Sfera e sundimit të ligjit është njëra nga sferat më të rëndësishme për të treguar se jemi shtet funksional, prej luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, deri te krijimi i një ambienti për investitorët e huaj”, tha Qosaj-Mustafa.

“Bordi këshillues i përbërë nga EULEX dhe qeveria e Kosovës, duhet që urgjentisht të hartojë një strategji për sundim të ligjit në Kosovë”, shtoi ajo.

Me këtë rast janë dhënë edhe një sërë rekomandimesh për institucionet relevante në Kosovë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›