E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet transparencë në privatizimin e PTK-së

Privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) duhet të bëhet nëpërmes një procesi transparent dhe në kohë të përshtatshme, u tha në takimin e Komisionit ndërministror për projektin e participimit të sektorit privat në PTK.

Në takim merrnin pjesë edhe ambasadorët e vendeve të Quintit dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe të Bankës Botërore.

Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe i Financave, njëherësh kryesues i Komisionit ndërministror, ka thënë se Kosova ka nevojë për investime të qëndrueshme dhe ka shprehur besimin se pjesëmarrja e sektorit privat në ndërmarrjet publike, në këtë rast në PTK, do të jetë një kontribut i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, të sektorit të telekomunikacionit dhe të vetë kompanisë.

Andy Sparkes, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, ka theksuar se privatizimi i PTK-së duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe profesionale. “Kjo është një nga brengat dhe ne gjithashtu dëshirojmë të shohim një çmim të mirë (të shitjes)...Ne e dimë sa shumë duhen këto para, për shkak të vështirësive financiare të Kosovës”, ka thënë Sparkes, transmeton KosovaPress.

Por ai ka theksuar se paraprakisht duhet vlerësuar se kur është momenti optimal për ta nisur privatizimin dhe a ka shtuar vlerë kompania për të prezantuar në treg.

Hans Dietrih Shtainbah, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, shpreson që këto investime të jenë pozitive dhe të ndihmojnë hapjen e vendeve të reja të punës.

Edhe Andre Cappusela, nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), ka theksuar se procesi i privatizimit të PTK-së duhet të menaxhohet në mënyrë të duhur dhe transparente.

Tibor Kartk, këshilltar për Transaksion dhe Privatizim, i ka quajtur ambicioze planet për finalizimin, brenda këtij viti, të procesit të privatizimit të kompanisë më profitabile publike në Kosovë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›