E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça ’89 synon ta ruajë kreun

Trepça ’89 do ta kërkojë fitoren e radhës të premten, pas përballjes ndaj Vëllaznimit. ‘Xehetarët’ synojnë ta ruajnë pamposhtmërinë dhe kreun e tabelës. Në anën tjetër, gjakovarët shkojnë në Mitrovicë për ta dhënë maksimumin dhe për ta nxjerrë një pikë, që do të ishte mjaft e vlefshme për ta.

Trepça ’89 do të tentojë ta ruajë pamposhtmërinë edhe pas xhiros së shtatë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, pas përballjes me Vëllaznimin të premten.

Në gjashtë xhirot e para, mitrovicasit kanë shënuar katër fitore dhe kanë barazuar dy herë, ndërsa këtë ritëm synojnë ta ndjekin edhe në duel me gjakovarët.

“Normalisht, synim yni është fitorja. Por, nuk është e sigurt asgjë, sepse Vëllaznimi tradicionalisht është treguar kundërshtar shumë i vështirë yni. Objektivi, ambiciet dhe dëshira janë shumë të mëdha që të vazhdojmë me këtë ritëm. Do të mundohemi ta shfrytëzojmë tërë potencialin që të korrim fitore”, deklaroi trajneri i ‘Xehetarëve’, Gani Sejdiu.

“Mirëpo, duhet të jemi të kujdesshëm sepse çdo kundërshtar i ka atutë e veta dhe mund të befasojë. Tek ne nuk do të ndikojnë fitoret që i kemi arritur deri tash, edhe pse sigurisht se motivi është shtuar. Jemi të motivuar maksimalisht për këtë takim”, vazhdoi ai.

Në anën tjetër, gjakovarët nuk do të shkojnë në Mitrovicë duke e ngritur flamurin e bardhë para ndeshjes. Ata do ta synojnë një pikë, njëjtë siç e nxorën para dy xhirosh në Drenicë.

“Ta them të drejtën kjo do të jetë përvojë jashtëzakonisht e vështirë për ne, sepse Trepça ’89 është ekip me renome dhe e bën futbollin më të mirë në Kosovë sot. Ka ekip mjaft cilësor, ne nuk do të shkojmë të dorëzohemi megjithatë”, theksoi trajneri i Vëllaznimit, Skënder Shëngyli.

“Do të mundohemi të jemi partnerë të barabartë në fushë, edhe pse mitrovicasit janë favoritë në letër. Shkojmë atje për t’i treguar aftësitë tona dhe një pikë do të ishte mjaft pozitive për ne”, përfundoi trajneri prizrenas. Ndërkaq, në fundjavë do të zhvillohen ndeshjet tjera të kësaj xhiroje.

BOX: Superliga – Xhiroja e shtatë:

E premte

Trepça ’89 – Vëllaznimi 15:00

E shtunë

Hysi – Kosova (V) 14:00

Besa – Prishtina 15:00

E diel

Drita – Liria 15:00

Hajvalia – Ferronikeli 15: 00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›