E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mysafiri i padëshiruar

Të vegjël në shtëpi, gjigantë si mysafirë. Interi i këtij sezoni është skuadër me dy fytyra. Nerazzurrët nuk kanë fituar ende asnjë duel në Giuseppe Meazza, përfshirë tri takime në Europa League dhe dy në Serie A. Por, kanë marrë pikë të plota nga pesë udhëtime dhe atë pa pranuar asnjë gol.

Inter u kthye i lumtur në Appiano Gentile, pas fitores së radhës në udhëtim. Një arritje e rregullt duke konsideruar periudhën e fundit. Skuadër e vogël në shtëpi, gjigante në udhëtime.

Ekipi i trajnerit Andrea Stramaccioni – besoni apo jo – ka fituar pesë duele të njëpasnjëshme në sezonin e ri, përfshirë takimet në Europa League – të gjitha si mysafir. Dhe atë nuk ka pranuar gol.

Vështirësitë e fitoreve në Giuseppe Meazza tashmë janë të njohura, por statusi i mysafirit të pamëshirshëm u konfirmua të mërkurën mbrëma, kur Inter fitoi 2-0 në udhëtim te Chievo. Fitorja e tyre e tretë nga pesë xhirot e para në Serie A, të gjitha si mysafirë.

Kurse bilanci në shtëpi është i keq. Dy humbje nga Roma dhe Siena. Interi në shtëpi ka vështirësi të mëdha, meqë duket se përballet me shumicën e skuadrave që mbrohen gjatë tërë takimit dhe ekipi nuk po gjen rrugëdalje në zhbllokimin e tyre.

Ekipi po ashtu kur është hedhur në sulm, është goditur shpeshherë në kundërsulme. Mbrojtja përbëhet nga futbollistë të fuqishëm si Samuel, por që nuk dinë të përcjellin kundërshtarin me shpejtësi.

Me vetëm Cambiasson në rol defanziv nga mesfusha, kundërsulmet janë mënyra si është ndëshkuar më së tepërmi Interi në këtë fillim kampionati në Serie A, por edhe në Europa League.

Por, skuadra ka një fytyrë tjetër si mysafire. Çdo ekip që paraqitet si nikoqir duhet të bëjë diçka më tepër se zakonisht. Kjo duket se i konvenon Interit. Nerazzurrët e nisën edicionin e ri në Serie A me fitore 3-0 te Pescara.

Humbja 3-1 në shtëpi nga Roma u përcoll me një tjetër rezultat pozitiv në udhëtim te Torino, 2-0. Siena i befasoi në Meazza duke i mundur 2-0, por skuadra u kundërpërgjigj ndaj Chievos. Të gjitha takimet në udhëtim Interi i fitoi pa pranuar gol, përfshirë ato në Europa League kundër Vasluit (0-2) e Hajduk Splitit (0-3).

Kurse ende është në kërkim të fitores së parë në Meazza. Me fjalë tjera, skuadër me dy fytyra. Të dielën ekipi i Stramaccionit pret Fiorentinën. Skuadra e Vincenzo Montellas është përforcuar shumë gjatë verës dhe zhvillon lojë që bazohet në posedimin e topit.

Duhet të presim dhe të shohim nëse konfirmohet ajo që është vërejtur në xhirot e para. Interi dënon rëndë skuadrat që i hapen. Për këtë është i domosdoshëm rikthimi nga lëndimi i Rodrigo Palacios, por një problem për skuadrën është lëndimi i mesfushorit kreativ Wesley Sneijder, i cili u dëmtua kundër Chievos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›