Vokrri-Zvicrës: “Nuk ua marrim Shaqirin”

Siç dihet, tash e një kohë të gjatë Zvicra është e shqetësuar me faktin se pas anëtarësimit të Kosovës në FIFA e UEFA mund të mbetet pa tre lojtarët kryesor të saj me origjinë nga shteti i ri – Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën e Valon Behramin – të cilët atëherë mund ta lënë ekipin helvetik për t’iu kthyer reprezentacionit kosovar.
Mirëpo, njeriu i parë i futbollit kosovar, Fadil Vokrri me një deklaratë ia ka dal që ta zbutë këtë shqetësim që i ka kapluar helvetikët.
Vokrri u ka garantuar zviceranëve se pas anëtarësimit të Kosovës në FIFA e UEFA, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), të cilën ai e udhëheq, nuk do të hedhet në aksion për t’i kthyer në reprezentacionin kosovar yjet e Zvicrës – Shaqirin, Behramin e Xhakën.
Sipas tij, atyre futbollistëve FFK-ja asnjëherë nuk do t’u bëjë ftesë të posaçme për t’i vesh fanellat. Mirëpo, Vokrri nuk e ka përjashtuar mundësin që Kosova t’ua hap dyert atyre lojtarëve, nëse personalisht vendosin për t’iu kthyer shtetit amë të tyre.
“Ne nuk do t`i nxisim ata kurrë për ta lëshuar kombëtaren zvicerane. Nuk do t`u dërgojmë atyre ofertë për të luajtur ndeshje për përfaqësuesen tonë, duke i joshur. Në fund të fundit FIFA ende duhet të vendosë nëse ata kanë vërtet kanë të drejtë t`i ndërrojnë skuadrat kombëtare. Ne nuk do të bëjmë përpjekje ofensive për t`i përfituar. Vendimin, natyrisht, do ta marrin vetë ata. Secili për vetën e tij”, ka deklaruar Vokrri për portalin e njohur zviceran, Blick.ch.
Ish legjenda e futbollit kosovar ka theksuar se të tre ata kosovarë e kanë për obligim që me përkushtim t’i mbrojnë ngjyrat e Zvicrës, e cila ka bërë shumë për ta dhe në përgjithësi për shqiptarët.
“Zvicra ua ka dhuruar karrierën këtyre lojtarëve. Pa Zvicrën, edhe vlera e tyre në tregun e futbollit do të ishte më e ulët. Ne po luftojmë për skuadrën tonë. Edhe pa Shaqirin, Xhakën e Behramin ne kemi mjaft lojtarë të mirë”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, edhe Flamur Bunjaku – i përzgjedhuri i FFK-së për monitorimin e kosovarëve që aktualisht janë jashtë vendit, i cili qe 20 vite jeton në Zvicrës – thotë se helvetikët nuk kanë nevojë të shqetësohen nga mundësia që Kosova t’ia merr të tre ata kosovarë.
“Unë vë bast se ata do të vazhdojnë të luajnë për Zvicrën. Është më mirë për Kosovën nëse këta futbollistë angazhohen edhe më tutje për Zvicrën, sepse ata janë shembuj të mrekullueshëm për integrim të suksesshëm. Zvicra ka bërë kaq shumë të mira për ne, sa që ne kurrë nuk mund t`ia kthejmë asaj. Është bukur, që tash, këta lojtarë me rrënjë kosovare, me sukseset e tyre ia kthejnë Zvicrës `me të mirë`”, ka pohuar Bunjaku.
Njëherësh Blick.ch e ka cituar Vokrrin të ketë thënë se synimi FFK-së mbetet pjesëmarrja e përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian i cili do të mbahet në vitin 2016 në Francë.