Tri kore në "Krijimin" i Haydn-it
Në koncertin e 18 tetorit, kori francez "André Léculeur", ai gjerman "Collegium Vokale" dhe "Prenk Jakova" nga Shkodra.
"Tetori Gjerman" vijon me një koncert për "kor dhe orkestër", kushtuar veprës më të njohur të kompozitorit austriak Joseph Haydn. Më datën 18 tetor, ora 19.00, në Akademinë e Arteve interpretojnë sopranot Eriona Gjyzeli e Dorina Selimaj dhe këngëtarët e huaj: Jan Ciesielski (tenor) dhe James Tolksdorf (bass) të shoqëruar nga Orkestra e Radio - Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Oleg Arapi. E veçanta e këtij koncerti është pjesëmarrja dhe bashkëpunimi i korit nga Dortmund-i "Collegium Vocale", atij nga Niort "André Léculeur" dhe "Prenk Jakova" i Shkodrës.
Ky koncert organizohet nga Ambasada Gjermane në bashkëpunim me shoqatat "Syri Blu" dhe "Miqtë e muzikës". Pas Tiranës, një ditë më pas, artistët janë në Katedralen "Shën Shtjefni" të Shkodrës për koncertin e 19 tetorit nën drejtimin e dirigjentit gjerman Matthias Topp. Nuk është hera e parë që "Krijimi" i Haydn-it i prezantohet publikut shqiptar. Në prill të këtij viti Teatri i Operës dhe Baletit e solli premierë baletin me shoqërimin e solistëve dhe korit.