E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: S'ka viza pa plotësuar kushtet

Rehn dhe Presidenca e BE-së flasin për Shqipërinë lidhur me vizat

TIRANË - Për Shqipërinë është e qartë kërkesa që vjen nga BE-ja. Nuk do të ketë liberalizim vizash, në rast se ajo nuk do të plotësojë kushtet e kërkuara. Komisioneri për Zgjerimin në BE-së, Olli Rehn, gjatë prezantimit të progres - raportit në Bruksel, ka deklaruar se, Shqipëria ka bërë përparime në kuadër të dialogut të liberalizimit të vizave, por nuk ka përmbushur të gjitha standardet e përcaktuara. Sipas tij, në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave, Shqipëria ka bërë përparim të mirë në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por ende nuk i ka përmbushur të gjitha standardet e përcaktuara në plan. Ndërkohë, në një intervistë për "BBC"-në, Ministri suedez i Migrimit dhe Politikave të Azilit të Suedisë, Tobias Billstrom, ka theksuar se pa plotësimin e kushteve nuk ka viza.

Ai tha se presidenca suedeze e inkurajon Shqipërinë dhe Bosnjë - Hercegovinën që të përshpejtojnë reformat e domosdoshme me qëllim që kërkesat për vizat të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për qytetarët e tyre. "Do të donim, gjithashtu, që të inkurajojmë Shqipërinë dhe Bosnje - Hercegovinën që të përshpejtojnë reformat që janë të domosdoshme me qëllim që kërkesat për viza të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për qytetarët e tyre", - tha ministri suedez gjatë intervistës. Ai qartësoi se të gjitha vendet që duan të kenë liberalizim të vizave me BE-në duhet të përmbushin kërkesat e udhërrëfyesve. "Nëse e bëjnë këtë, ata do të lejohen të hyjnë brenda në këtë regjim, nëse nuk e bëjnë, atëherë duhet të presin deri sa t'i përmbushin kërkesat. Kjo është një politikë shumë e thjeshtë", - tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›