Tri universitete të reja, MASHT-i thotë s’ka probleme

Puna në universitetet e sapo themeluara të Mitrovicës, Gjakovës dhe Gjilanit do të nisë këtë tetor. Megjithëse në këto qytete tashmë ka fakultete, të cilat tani për tani dihet se vetëm do ta ndërrojnë emërtimin dhe do të bëhen pjesë e universiteteve përkatëse, por duhet të kalojnë nëpër procesin e akreditimit. Për degë të reja do të vendoset pasi ministri të formojë bordet e këtyre universiteteve, raporton Kohavisioni. Megjithëse kanë mbetur vetëm 4 muaj deri në fillimin e vitit të akademik 2013/2014, Ministria e Arsimit është e bindur se gjithçka do të nisë me kohë. Zëdhënës i MASHT-it, Arbër Morina ka thënë se vendimi është i njëjtë për të tri universitetet, kurse ai i Mitrovicës gjithsesi do të jetë vetëm i pjesës jugore. Një përvojë jo shumë të mirë të tillë e ka edhe Universiteti i Prizrenit, i cili që në fillim u ballafaqua me shumë sfida dhe probleme, pavarësisht premtimeve se do të jetë një nga universitetet më të njohura të Ballkanit.
Themelimi i këtyre universiteteve në mënyrë të shpejtuar është kritikuar nga kryeparlamentari Krasniqi. Sipas tij, është arritur të krijohen analfabetë me shkollë të mesme, e nëse vazhdohet kështu do të ketë edhe të tillë me diplomë universiteti./Indeksonline./