E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Trialog” –Sulo: PD-ja nuk frymëzoi elektoratin, Alimehmeti: Pa ekip dhe organizim nuk ka rezultat

Në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e Alba Alishanit, u analizuan zgjedhjet e pjesshme vendore të mbajtura në pesë bashki të vendit, ku u vu në qendër të debatit rezultati zhgënjyes i opozitës dhe mungesa e organizimit të saj.

Debati u fokusua tek pjesëmarrja e ulët e votuesve, rezultati zhgënjyes i opozitës, si dhe mungesa e organizimit të Partisë Demokratike për të frymëzuar elektoratin.

Analisti Arion Sulo dhe përfaqësuesi i PD-së, Ilir Alimehmeti, sollën dy këndvështrime të ndryshme mbi shkaqet e këtij rezultati, duke diskutuar mbi rolin e fushatës së shkurtër, emigracionin e lartë, si dhe strategjitë afatgjata të opozitës për vitet e ardhshme.

Nga ana e tij, Ilir Alimehmeti theksoi se objektivi i opozitës është afatgjatë, duke e vendosur në vitin 2029, por duke nënvizuar se rruga drejt këtij objektivi kalon përmes vitit 2027, që janë zgjedhjet vendore.

Ai shtoi se për të pasur sukses, Partia Demokratike duhet të ketë një organizim të plotë dhe të frymëzojë qytetarët.

“Objektivi është viti 2029, por për të shkuar aty duhet të kalosh në 2027, i cili duhet të jetë i suksesshëm. Për të pasur sukses duhet organizim ‘kokë dhe këmbë’ i Partisë Demokratike. Sot shohim qartë se votuesit refuzojnë PS-në, por ne duhet t’i frymëzojmë sepse njerëzit e njohin të mirën dhe të keqen. Frymëzimi është fjala kyçe,” – u shpreh Alimehmeti.

Arion Sulo e kundërshtoi këtë argument duke ngritur pyetjen pse opozita nuk arriti të frymëzonte elektoratin në këto zgjedhje.

 “Për mua është një pyetje kyçe: pse nuk u bë kjo punë për këto zgjedhje? Ajo që i mungoi opozitës ishte thirrja e bërë nga PD-ja. Ndaj kemi këtë bojkot, ose njerëzit kanë bojkotuar vetë Partinë Demokratike,” – tha Sulo.

Në përgjigje, Alimehmeti nënvizoi se puna e opozitës nuk mund të reduktohet në një javë apo dhjetë ditë fushatë, por duhet të jetë e vazhdueshme dhe e organizuar.

Ai shtoi se pa ekip dhe pa organizim nuk mund të ketë rezultat, duke iu referuar edhe sondazheve ku PD ishte sfidante.

“Puna e PD-së nuk mund të ndalet vetëm në një javë apo dhjetë ditë fushatë. Duhet të jemi në terren dhe të organizuar. Pa organizim nuk ka rezultat. Duhet ekip për të pasur sukses,” – theksoi Alimehmeti.

Sulo nga ana e tij shtoi se opozitës i mungon frymëzimi dhe ndërgjegjësimi për të sfiduar pushtetin.

“Ajo që kërkohet sot nga opozita është frymëzimi, ndërgjegjësimi dhe heqja e frikës për të sfiduar. Pa këto elementë nuk mund të ketë rezultat,” – u shpreh Sulo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›