“Trialog” në RTSH- Sulo: Vendimi i Kushtetueses e kthen Veliajn në bashki, është i ndikuar politikisht

Debati pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese (GJK) për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pati një sërë këndvështrimesh në emisionin “Trialog” në RTSH.
Analisti Arion Sulo shprehu hapur dyshimet se vendimi që e riktheu Veliajn në detyrë nuk ishte thjesht juridik, por i ndikuar nga mazhoranca socialiste.
Sulo e cilësoi vendimin e GJK si një lëvizje me “regji politike”, duke theksuar mungesën e ndikimit të opozitës te organet e drejtësisë.
“Vendimi është i ndikuar politikisht nga mazhoranca. Ky vendim e kthen Veliajn në bashki, ndryshon masën e sigurisë dhe e çon në liri,” tha Sulo.
Ai e interpretoi këtë zhvillim si pjesë e një strategjie më të gjerë të ruajtjes së pushtetit dhe balancimit të trysnisë institucionale, duke përmendur si shembull faktin se, ndërkohë që Veliaj mund të dalë nga burgu, zyrtarë të tjerë të hetuar, si zëvendëskryeministrja e marrë në hetim, nuk shkojnë në arrest apo nuk shkarkohen.
Analisti theksoi se prapavija politike e këtij vendimi vjen në një kohë kur pozita e mazhorancës po bëhet e vështirë.
Sulo vuri në dukje se pakënaqësia ndaj qeverisë është në rritje. Ai paralajmëroi se konjukturat politike e bëjnë situatën për Kryeministrin “të paparashikueshme, madje të lëkundshme”, duke sugjeruar se lëvizjet e tilla politike bëhen për të menaxhuar këtë situatë.
Sipas Sulës, me këtë vendim vendoset një precedent dhe se ka një sërë faktorësh që të bëjnë të mendosh se ka një prapavijë politike në këtë vendimmarrje.
/rtsh.al/