E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi për Veliajn, Zogaj: Kushtetuesja tregoi se kemi një gjykatë sovrane që vigjilon për të drejtat tona

Analisti Preç Zogaj, në studion e emisionit “Trialog” në RTSH1, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lënien në detyrë të kryebashkiakut Erion Veliaj. Teksa e konsideron një vendim sovran të shumicës në Kushtetuese, analisti shprehet se u tregua se “kemi një gjykatë sovrane që vigjilon për të drejtat tona”.

“Nuk besoj se vendimmarrja është nisur nga arsye politike. Është një vendim sovran i shumicës në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mjafton ky nen që thotë se nëse mungon për tre muaj do të shkarkohet; e ka parë të ndërlidhur me ligjet e tjera. Kështu që është një interpretim që shumica e Gjykatës Kushtetuese e ka bërë tërësisht sipas këtyre ligjeve që rregullojnë çështjet e shkarkimit apo jo të kryetarëve të zgjedhur.

Mbizotëroi kushtetutshmëria dhe asnjë interes, as i 100 mijë njerëzve, nuk mund të vihet në balancë kundrejt një individi. Kjo është madhështia e të drejtës në demokraci. E drejta e individit është mbi gjithçka, edhe mbi qeverinë.

Nga kjo pikëpamje, e duartrokas vendimin e Kushtetueses. Në interpretimin që i ka bërë shumica, ka prevaluar e drejta kushtetuese dhe për këtë arsye kjo duhet të përshëndetet nga të gjithë njerëzit. Kemi një institucion, një gjykatë sovrane që vigjilon për të drejtat tona,” u shpreh Zogaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›