E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trichet: Rritja ekonomike në eurozonë do të rikthehet

Rritja ekonomike në eurozonë do të rikthehet nga fundi i këtij viti. Kështu ka deklaruar presidenti i bankës qendrore evropiane, Jean Claude Trichet, duke argumentuar se rajoni do të shmangë rënien e rëndë ekonomike aktuale.

15 vendet e Bllokut evropian mund të kenë një rritje ekonomike në pjesën e fundit të vitit dhe ECB (Banka Qendrore Europiane) pret “një rikthim në rritje ekonomike” – tha Trichet në një intervistë për disa gazeta evropiane.

Periudha e fundit me të dhëna ekonomike në rënie nuk ka ndryshuar qëndrimin e ECB-së sa i përket të ardhmes.

Lajmet më të fundit të zymta për eurozonën ishin për një rënie ekonomike prej 3.4% në eksporte. Gjithashtu edhe shifrat e prodhimit industrial për muajin Maj kanë treguar rënien më të madhe mujore në të paktën 16 vitet e fundit.

Ndërkohë që të dhënat kanë treguar se rritja ekonomike në eurozonë ishte negative për tremujorin e dytë, analistët mendojnë se ECB do të rrisë normën bazë të interesit të euros me qëllim mbrojtjen nga inflacionit. Këtë muaj, banka qendrore ka rritur normën bazë të interesit me çerek pikë përqindje deri në 4.25%.

ECB argumenton se ‘themelet’ e eurozonës – kompanitë dhe financat e konsumatorëve mbeten të forta. Sipas tyre kolapsi që ka mbërthyer ekonominë amerikane dhe atë angleze nuk ka arritur në Europë.

Trichet nuk ka bërë asnjë koment lidhur me normat e interesit por tha vetëm se: “ne do të bëjmë në të ardhmen veprimin e duhur për të mbajtur nën kontroll çmimet”.

Por analizat e bankës qendrore për rritjen ekonomike janë konsideruar si shumë optimiste nga shumë ekonomistë. Aurelio Maccario nga Unicredit në Milan tha se ECB po i fryn disi parashikimet. “Inflacioni i lartë në eurozonë ka ndikuar në shpenzimet e konsumatorëve dhe në industri, ndërkohë që euro e fortë dhe norma bazë e interesit në nivele shumë të larta kanë ndikuar në rënien e aktiviteti ekonomik drejt eurozonës.

Sipas pikëpamjes të disa anëtarëve të këshillit të ECB-së, ngadalësimi i rritjes ekonomike mund të ndikojë në reduktimin e presioneve inflacioniste. Por Nout Ëellink, guvernatori i Bankës Qendrore të Gjermanisë tha se: “Është gabim të mendosh se inflacioni bie nëse dobësohet ekonomia. Ne e kemi parë këtë situatë edhe në vitet ’70. Nëse nuk veprohet jemi në situatën e inflacionit të lartë dhe rënies ekonomike ose ndryshe stagflacionit”- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›