E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trillim i ulët i mediave të opozitës – Vila e Vlorës është shtëpi pritje për personalitetet e larta”

15-08-2012 / Gazeta 55

Reagon Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare e cilësoi trillim të ulët kronikën e shfaqur në Top-Channel, lidhur me një rezidencë qeveritare në Vlorë, ku pretendohej se ndërtesa në fjalë është rezidencë e vetë Kryeministrit. Në një reagim për mediat, zëdhënësi i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare sqaron se, Vila në Vlorë, e paraqitur në kronikën e televizionit Top Channel, është rezidencë qeveritare, shtëpi pritje për personalitete të larta të vendit dhe të huaja, miq të shquar të Shqipërisë, por jo rezidencë e Kryeministrit.
“Dje, televizioni “Top Channel”, transmetoi në edicionin e tij të lajmeve një montim lidhur me një rezidencë qeveritare në Vlorë, të cilën e paraqiti, duke shpifur, si rezidencë të Kryeministrit Berisha. Lidhur me këtë kronikë, zëdhënësi i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare sqaron opinionin publik sa vijon: Vila në Vlorë, e paraqitur në kronikën e televizionit Top Channel, është rezidencë qeveritare, shtëpi pritje për personalitete të larta të vendit dhe të huaja, miq të shquar të Shqipërisë. Pretendimi i televizionit Top Channel se Vila Qeveritare në Vlorë është rezidencë e Kryeministrit është një trillim i ulët, i denjë për çakej dhe gjobëvënës, që përdorin median për prerje gjobash dhe qëllime të tjera të kundërta me misionin e tyre.
Gjithashtu, lidhur me çështjen në fjalë, zëdhënësi i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare kujton se, gazetarët gjobë-prerës të Top Channel, që shpallin shtëpinë e pritjes në Vlorë si rezidencë të Kryeministrit Berisha, janë po ata që montuan në zyrat e Edi Ramës videon e 21 janarit dhe që servirën shumë herë si veturë të Kryeministrit, makinën Mercedes të blerë nga kjo Drejtori për transportin e kryetarëve të shteteve, kryeministrave dhe kryetarëve të Parlamenteve të vendeve mike, që vizitojnë Shqipërinë dhe që nuk është përdorur asnjëherë nga Kryeministri apo personalitete të tjera të vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›