PS, si zëdhënëse me pagesë e interesave jokombëtare
Ishte thuajse i pabesueshëm artikulimi mediatik i të birit të Hamit Beqjes lidhur me sezonin turistik 2012. Dëshira për të parë një dështim në shkallë të gjerë, një dukje irracionale, ku shqiptarët janë qenie jomiqësore, agresive dhe kimikisht të dëmshme, e kishte çuar kasnecin e Edi Ramës në një deklaratë kozmike, në konfirmimin e faktit se në Shqipëri s’bëhet turizëm, se në anën e Adriatikut përkundruall italianëve s’jetojnë humanë e se ndër ne s’mund të vish as për hall, as për qejf e as për ndonjë qejf të veçantë. A thua se ndër ne s’kishte dalë shprehja “Ra ky mort e u pamë”, as shprehja “A je burrë” e më tej akoma as shprehja “t’preksha prapë për t’mirë” si tregues të një areali human, dinjitoz, mikpritës e shpresëdhënës. Këto 4 valenca të forta janë tregues vendimmarrës për të caktuar suksesin e një viti turistik (merret vesh, jashtë darës së një regjimi despotik si ai enverist). Këto kritere vlejnë gjithkund. Vlejnë edhe në Shqipëri dhe konfirmuese janë pikat kufitare me interaktivitetin e tyre – shifra që i ngrenë adrenalinën çdo shqiptari... Përveç të paguarve të llogoreve të tjera natyrisht... Për Edi Ramën dhe kasnecin e tij Ilir Beqja, s’ka asnjë rëndësi se sa veta në ditë hyjnë në Shqipëri brenda 24 orëve (ose një 15 ditëshi turistik - nëse duam ta masim impaktin ndryshe). Ai, si një ajatollah i politikës anti-integrim dha dje verdiktin, duke shpallur se në Shqipëri dështoi sezoni turistik... Së pari duhet të kujtojmë se vlerësime të tilla shteruese jepen veç nga fundi i vitit dhe pasi janë marrë dhjetëra të dhëna jodirekte. Por Edit të Kristaqit dhe Ilirit të Hamitit s’u duhet të presin kaq gjatë. Atyre u mjafton një bocet që shfaq hilenë e Perëndimit ndaj shqiptarëve apo edhe një hartim që flet për shfaqjet e huaja të një shoqërie që është e huaj për shqiptarët. Interesi i ditës e do që të shpallet dështimi i sezonit turistik dhe për këtë s’duhen shifrat e hyrje-daljeve nëpër pikat kufitare, por vendimi i qarqeve antishqiptare dhe deklarata e porositur e partisë. E bash kështu ndodh! Dhe jo më 1 nëntor, as më 1 tetor, as më 1 shtator, por bash më 14 gusht, ende në zemër të sezonit turistik. I biri i Kristaqit dhe i biri i Hamitit s’kanë nevojë as për shifra e as për studime. Ata e kanë pasur kopjen e partiturës që në maj dhe mezi kanë pritur një prishje kohe, një konjukturë në çmimet e hoteleve apo edhe një mosmarrëveshje në pasqyrimin mediatik ditor të “sezonit turistik”. Duke e pasur të vështirë t’i qëmtojnë të gjitha gjasat së bashku, s’pritën dot më e dje, i biri i Hamitit mori urdhrin e partisë që të dalë e të shpallë se viti turistik kishte dështuar e se kështu kishte qenë edhe në 6 vitet paraardhëse... Është krejt impotencë politike! Sikur në buxhetin e shtetit të mos rridhte asnjë euro, por thjesht 300 mijë të huajt e vitit 2004 të shndërroheshin në 4 milionë vizitorët e 2012-s, çdo shqiptar do të ishte thellësisht i lumtur. Ata do të ishin mesazherët e stilit të jetesës së një populli që ka jetuar në këto anë që në epokën pellaszgjike e që tani është në Evropë, jo veç si themelues i qytetërimit të përbashkët, por edhe si tregues se një pjesë e këtij qytetërimi kishte vanitetin t’u kujtonte të tjerëve se kish qenë më qëndrestare se ata. Në Shqipëri njerëzit janë mikpritës dhe për vërtetimin e kësaj teze s’ka nevojë të dëgjojmë opinionin e të birit të Kristaqit të Bllokut dhe Hamitit të Komitetit Qendror. Në Shqipëri ka një klimë të shëndetshme dhe që ushqehesh me një kuzhinë mesdhetare kjo s’do as mend e as kalem. Në Shqipëri tashmë është e lehtë të mbërrish dhe që është e lehtë të integrohesh e thonë dhjetëra dëshmi e së pari shtimi i numrit të vizitorëve, i cili numërohet matematikisht dhe s’matet me vlerësimet e të birit të Hamitit, të cilit plazhet i duken (kështu i thonë) pa njerëz. Tek shqiptarët shtohet numri i pushuesve e po ashtu edhe entuziazmi për të treguar trashëgiminë, mbijetesën dhe shpresën për caqe të reja, por kjo perspektivë nuk shkon hiç me hullinë e të bijtë e Kristaqit dhe Hamitit. Ata kanë marrë prej kohësh si detyrë shtëpie artikulimin e frazës se në Shqipëri është vuajtur e se në Shqipëri nuk jetohet. Kjo qe e vërtetë, sa kohë ish-komunistët kishin mundësi të propagandonin tek bashkëkombasit e mi, të lodhur nga regjimi i urisë që na la Merhumi, dhe pat njëfarë suksesi edhe për ca javë sa u mbivlerësuan efektet e rebelimit antishtetëror të 1997-s. Më tej, politikisht e elektoralisht këto pozicione u kuptuan se ishin jofrytdhënëse dhe betejat e trefishta të 2005-s, 2009-s e 2011-s ishin edhe provat e certifikuara. E vërteta është se të bijtë e Kristaqit e të Hamitit e dinë se po rrahin ujë në havan, por u duhet të lexojnë një partiturë që u vjen e importuar prej jashtë. Ajo partiturë ka të shkruar se me 14 gusht duhet të shpallet se viti turistik në Shqipëri dështoi e se vjeshta e dimri do të jenë edhe më të vështira. Është fort e thjeshtë për të marrë vesh se cilët faktorë të Evropës Juglindore do të kishin nevojë për aleatë në krizën e tyre financiare e se cilët qelbanikë politikë do të donin që ta klasifikonin Shqipërinë si një vend në destabilizim e sipër.
...