E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra në Vlorë, identifikohet një prej autorëve të vrasjes së trefishtë

Policia e Vlorës ka identifikuar një prej autorëve të dyshuar të masakrës që tronditi dje qytetin bregdetar në një plazh privat.

Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se Leo Osmani dyshohet se është bashkëautori në krimin e ndodhur dje në plazhin e Radhimës  ndërsa dyshohet se krimi është kryer nga një mik i tij, identiteti i të cilit nuk dihet ende.

Gjithashtu policia ka bërë të mundur edhe gjetjen e armës së krimit, 1 km larg vendit të ngjarjes.

Policia ka konfirmuar përmes burimeve të sigurta se 34 vjeçari nga Fieri Sokol Isufaj ka qenë shënjestra dhe se dy viktimat e tjera kanë qenë aksidentale.

Dëshmitarët kanë treguar se fillimisht autori i ngjarjes dhe 34-vjeçari kanë patur një debat në lokalin sipër plazhit. Por më pas Isufaj është kthyer në çadrën e tij, dhe pak minuta më vonë është dëgjuar breshëria e automatikut.

Autori është larguar më pas me shpejtësi me një makinë Land Rover. Policia e Vlorës ka ngritur patrulla në të gjithë zonën, por ende nuk ka rënë në gjurmët e tij. Ndërkohë po hetohet edhe jeta e 34 vjeçarit për të zbuluar nëse kishte ndonjë konflikt të hapur që mund të ketë sjellë edhe vrasjen e tij.

Terror në Vlorë, 3 persona vriten me kallashnikov në mes të plazhit

Tre persona janë vrarë më armë zjarri rreth orës 16:00 të së djelës në një plazh privat në bregdetin e Vlorës duke shkaktuar panik tek pushuesit.

Ngjarja e rëndë është shënuar në vendin e quajtur Kalaja, pranë Ujit të Ftohtë ku një person ka hapur zjarr me kallashnikov dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen 3 persona.

Sipas policisë viktimat janë Sokol Isufaj nga Fieri, Diana Ademi, 53 vjeçe nga Vlora  si dhe  17-vjeçari Serdi Bajlozi nga Prrenjasi të cilët janë dërguar në morgun e qytetit, pasi nuk kanë arritur t’u mbijetojnë plagëve të marra.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë marrë në pyetje disa persona të cilët ndodheshin në vendngjarje në momentin e krimit si dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë si pasojë e ngjarjes së rëndë është bllokuar për disa orë qarkullimi i automjeteve në aksin Uji i Ftohtë-Radhimë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›