Triumf “Dardan”, Kosova në Ligën B. Islanda mposhtet sërish këtë herë 3 me 1, Vedat Muriqi i papërmbajtshëm

Kosova shkroi historinë e futbollit të vet në nivel përfaqësueseje, duke arritur një rezultat të rëndësishëm në Ligën e Kombeve.
Dardanët u ngjitën nga Liga C në Ligën B, duke mundur në të dyja ndeshjet e play-off, Islandën. Pas suksesit 2 me 1 në Prishtinë disa ditë më parë, të besuarit e trajnerit Franko Foda fituan edhe duelin e kthimit, luajtur në Mursia të Spanjës, me shifrat 3 me 1.
Një sukses shumë i bukur me përmbysje, aq më tepër që nordikët kishin kaluar në avantazh që në minutën e parë me anë të kapitenit Oscarson, i njëjti që shënoi edhe në Fadil Vokrri.
Mirëpo, Islanda nuk i kishte bërë llogaritë me një mbrëmje të madhe të Vedat Muriqit. “Pirate” i Majorkës shënoi tre golat vendimtare për Kosovën. Fillimisht ai barazoi shifrat në minutën e 35, e pastaj kaloi në avantazh Dardanët në minutën e 3 shtesë të pjesës së parë.
Për ta bërë më të lehtë Kosovën, mendoi Gunarson, i cili doli me të kuq në minutën e 69 dhe la nordikët me 10 lojtarë. Nga kjo situatë përfitoi edhe më shumë Kosova, e cila shënoi edhe golin e tretë përmes të njëjtit autor, Muriqi.
Sukses i madh për përfaqësuesen dardane, e cila nëse vazhdon kështu, ngjitet në Ligën B, ndërsa Islandën e sposton në Ligën C. /vizionplus.tv