Triumf i të djathtëve në zgjedhjet e Spanjës

Sipas sondazheve të para, popullorët e Mariano Rajoy-t kanë siguruar 181-185 vende në parlamentin me 350 vende, duke regjistruar rezultatin më të mirë në të gjithë historinë e së djathtës spanjolle, ndërkohë që gjithashtu socialistët regjistrojnë minimumin e tyre historik, qysh kur pushteti u la nga gjenerali Franko
Partia Popullore Spanjolle e qendrës së djathtë stërfitoi dje zgjedhjet politike në SPanjë, duke marrë 43,5 përqind të votave, përballë afro 30 përqind të votave të rivalëve të tyre socialistë. Janë këto të dhënat e para që dolën nga “exit-poll”-et e realizuara nga Radioja Kombëtare, dhe që konfirmojnë mazhorancën kuptimplotë prej 181-185 vendeve të popullorëve, përkundrejt 350 vendeve të parlamentit spanjoll. Statistikat flasin se ky është rezultati më i mirë i të djathtëve në historinë e pluralizmit në Spanjë. Rajoi bile mendohet të përmirësojë edhe rezultatin historik të paraardhësit të tij, Hoze Maria Aznar, i cili në vitin 2000 mori 183 vende në parlament. Në të njëjtën linjë, socialistët gremisen edhe më keq sesa në vitin 2000, pasi ata mendohet të marrin 115-119 vende në parlament, ndërkohë që paraardhësi Almunia pat siguruar në vitin 2000 125 deputetë.
Popullorët duket sikur korrigjojnë diçka nga humbja aksidentale e Aznarit në 2004-n, pas akteve terroriste të 11 marsit, në stacionin e trenave në Madrid, të cilat gabimisht iu atribuan ETA-s, edhe pse ishin dirigjuar nga Al Kaeda. Vetëm 3 ditë pas akuzave që u verifikuan si të gënjeshtërta, zgjedhësit i ndëshkuan popullorët, duke i zbritur në opozitë, pas një rezultati të ngushtë, prej 164 vendesh për socialistët dhe 148 të popullorëve. E dhëna më e dobët e ditës qe pjesëmarrja e spanjollëve në votime, ku u regjistrua një rënie prej 3,3 përqind, në krahasim me zgjedhjet e marsit të 2008-s. Ajo që vlen për t’u përmendur është fakti se “indignados” patën njoftuar paraprakisht se s’do të përkrahnin asnjërin nga kandidatët në garë, pra se s’do të paraqiteshin fare në kutitë e votimit. Editorialet e shtypit spanjoll nënvizojnë rëndësinë e kësaj vote për të ardhmen e vendit. “La Vanguardia” flet për “një takim elektoral i rëndësishëm”, El Mundo shkruan se nga zgjedhjet “po përzgjidhet e ardhmja e Spanjës”, ndërkohë që El Pais nënvizon se “fituesi i zgjedhjeve do të duhet të pengojë që Spanja të humbasë perspektivën e zhvillimit, të siguruar në këto dekadat e fundit”