E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të zemëruarit e Ramës

21-11-2011 / Nga Lavdrim Lita

Në parkun “Zukoti” të qytetit të Nju Jorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndoca anarkistë anti-globalistë, anti-kapitalistë, anti-liberistë, anti-anti janë mbledhur për të protestuar ndaj simbolit të kapitalizmit financiar “Uoll Strit”, me parullën “Të pushtojmë Uoll Stritin”. Mijëra vetë kanë ecur në marshim ushtarak me pankarta në duar. Të gjithë të drejt zemrës së Mollës së Madhe siç quhet ndryshe qyteti i Nju Jorku: Uoll Strit, një zemër e pashpirt, qendër ekonomike dhe financiare të tregjeve botërore. Edhe pse janë 10 mijë veta, nga 300 milion amerikanë, ata kanë dëshirë të thonë se janë 99 për qind (we are the 99 percent) e njerëzimit.
Gjithsesi janë të zemëruarit, sipas një përkufizimi të ish-partizanit intelektual francez Stefen Hesel, që kundërshtojnë gjendjen e punëve të botës. Dhe janë kundër Bankave. Mirëpo problemi me zemërimin e të Zemëruarve është se nuk dihet kur fillon dhe kur mbaron, ku do të shkojë dhe çfarë do të bëjë. Flasin për një kapitalizëm të keq.
Megjithatë përbën lajm për lexuesit shqiptarë të dinë se dhe Partia Socialiste ka dërguar në këtë protesta tre delegatë nga Tirana, Erjon Veliaj, Taulant Balla dhe Fiqiri Xibri, të njohur për teknikat e tyre për të pushtuar akset kryesore të vendit me djegie gomash, të pushtimit të bulevardit kryesor të Tiranës me çadra, apo organizimin e demonstratave të dhunshme të 21 janarit në kangjellat e kryeministrisë.
Tre emisarët e Ramës në Parkun “Zukoti” janë përfaqësuesit shqiptarë të atashuar tek të Zemëruarit që duan të zaptojnë qendrat e  Pushtetit, sipas teorisë së Antonio Gramshit, dhe të tre kanë eksperiencë të nevojshme “revolucionare” për të nxitur njerëzit. Erjon Veliaj, një anti-globalist i shpallur, sipas formulës së fondacioneve “Mjaft” apo partisë anonime G99. Taulant Balla, një deputet që ka shkelur mbi kokat e policëve për të mbrojtur kinse “10 votat e Ramës”, një gjuhëlëshuar. Fiqiri Xibri, i mirënjohur për pagesat e protestuesve dhe demonstruesve të dhunshme të Ramës. Këta personazhe janë deleguar për t’u atashuar dhe solidarizuar, sipas koncepteve të Internacionales proletare, me të gjithë shokët anti-Imperialistë të Botës.
Anti – Imperializmi shqiptar ka frymëzim të drejtpërdrejtë anti-amerikan. Tek “Teoria dhe Praktika e revolucionit”, Enver Hoxha shkruante “Ne jemi për unitetin e proletariatit botëror dhe të të gjitha forcave të vërteta antiimperialiste e përparimdashëse”. Më poshtë vijon: “edhe në të ardhmen nuk do t’i kursejnë forcat e tyre dhe do të luftojnë së bashku me gjithë popujt e tjerë antiimperialistë e anti-social-imperialistë, me gjithë partitë marksiste-leniniste, me gjithë revolucionarët e proletariatin botëror”. Partia Socialiste e dalë nga mitra e Partisë së Punës ndjehet e sintonizuar me anti-imperialistët, revolucionarët dhe proletariatin botëror, aq sa ka dërguar ambasadorë në çadrat  e vendosura në Nju Jork.
Zemërimi i “Zaptuesve të Uoll Stritit” nuk shërben asgjë. Inkurajimi i kontrolluar i zemëratës popullore është e papranueshme dhe s’i shërben kauzës së përgjegjësisë së drejtuesve. Duke na ftuar për t’u zemëruar ndaj Shtetit, ndaj Institucioneve, ndaj partive politike, E Majta s’na fton në rezistencë, por ndjek rrjedhën, që çon në një det të pafund problemesh.  Realiteti është më kompleks se sa e përshkruajnë të zemëruarit në Parkun “Zukoti”. Zemërimi është gjithmonë kundër  tjerëve dhe jo kundra vetes. Sepse ende sot s’kemi gjetur njeri të të zemërohet për ligësitë e tij. Kemi parë njerëz që skuqen për faktin se janë turpëruar, se kanë ndjesinë e fajit, dhe janë të zemëruar, por kurrë me veten. Duke pasur objekt të zemëratës tjetrin, më shumë se një sentiment moral, më duket një mekanizëm për të turpëruar të tjerët, dhe për të mbushur unin për të qenë moralistë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›