E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojka e ambasadorëve rinis negocimin me partitë. Mbërrijnë dhe raporterët e KiE

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, ai i BE-së Etore Sekui dhe ai i OSBE-së, Eugen Volfart do të rinisin nesër negociatat me krerët e politikës vendase për të tentuar vendosjen e dialogut mes palëve. Sipas burimeve diplomatike, mësohet se këto takime u ndërprenë për shkak të mungesës së diplomatit amerikan, i cili pati probleme shëndetësore këto kohë. Takimet do të nisin me kreun e opozitës Edi Rama në zyrën e këtij të fundit dhe do të vazhdojnë me kryeministrin Sali Berisha e kreun e shtetit Bamir Topi. Synimi i tyre është ai që është deklaruar tashmë dhe nga Brukseli e Uashingtoni, të arrijnë një marrëveshje politike mes palëve për të zgjidhur konfliktin politik dhe situatën e krijuar pas zgjedhjeve lokale sidomos me mandatin e bashkisë së Tiranës. Trojka e diplomatëve ishte shumë aktive para zgjedhjeve të 8 majit dhe pas tyre duke mbajtur madje qëndrim të qartë kundër procedurës që ndoqi KQZ-ja me numërimin e fletëve të hedhura gabim, të konsideruara më parë të pavlefshme. Tashmë tre ambasadorët do të tentojnë të gjejnë pikat e mundshme të bashkimit mes palëve për të mundësuar një tryezë dialogu, por nuk dihet sa e mundur do të jetë kjo gjë. Rimarrja e iniciativës vjen në një moment delikat kur çështja e mandatit të Tiranës vazhdon të jetë në dyert e drejtësisë, pasi pritet dhe një vendim tjetër i Kolegjit Zgjedhor pas kërkesës së depozituar dje nga PS, e cila kërkon pavlefshmëri në disa qendra votimi.

Ndërkohë, raporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, senatori çek Tomas Jirsa dhe deputeti moldav Grigore Petrenco kanë mbërritur në Tiranë për të parë situatën politike në vend dhe për të takuar krerët e shtetit e të opozitës. Dy raporterët vijnë në vendin tonë me misionin fakt-mbledhës për situatën politike që po kalon vendi. Faktet dhe opinionet që do të krijojnë dy raporterët do të bëhen dhe baza e opinionit që do të miratojë për Shqipërinë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Pritet që ata të takohen me kryeministri Berisha, me kreun e opozitës Rama, me anëtarë të KQZ-së, me presidentin Topi dhe me grupe të thera interesi me synimin kryesor marrjen e fakteve mbi krizës politike dhe konfliktin që lindi pas zgjedhjeve të 8 majit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›