Trojka nis punën në Greqi
Qeveria greke dhe ekspertët e huadhënësve të saj ndërkombëtarë ka rinisur bisedimet për të zhbllokuar 8.1 miliardë euro kredi shpëtimi pas një ndërprerje dy-javore, gjatë së cilës qeveria rrezikoi madje dhe dorëheqjen për shkak të mbylljes së transmetuesit shtetëror ERT.
Zyrtarët qeveritarë thanë se negociatat janë të vështira pasi në diskutim janë një gamë e gjerë e reformave ekonomike që Athina duhet të zbatojë në mënyrë që të sigurojë kredi të mëtejshme shpëtimit, duke përfshirë një rregullim të vonuar të shërbimit civil.
Kryeministri grek Antonis Samaras ka thënë se ai pret që bisedimet në ministrinë e financave të përfundojnë me sukses, pavarësisht nga pengesat në programin e privatizimit të vendit dhe vonesat në reformat e sektorit publik.
Për t’i bërë presion Athinës mbi reformat, Trojka e huadhënësve,FMN-ja, Bashkimi Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane mund të refuzojnë të paguajnë shumën e plotë. Athina nuk respektoi afatin e qershorit për të vendosur 12 500 punëtorë shtetërorë në një “skemë të veçantë”, nën të cilën mund të transferohen ose shkarkohen brenda vitit.
Vendi është duke u ndeshur me vitin e gjashtë të recesionit, dhe kësti i fundit është një nga injeksionet e fundit të mëdha nga skema prej 240 miliardë eurosh që skadon në fund të vitit 2014.