Turizëm me rulota në qytetin e Shkodrës
SHKODER - Në kuadër të angazhimit të bashkisë për të rritur numrin e turistëve të huaj që vizitojnë Shkodrën, 15 automjete italiane të tipit rulot, kanë mbërritur në qytet. Në to ndodheshin 30 anëtarë të Klubit Automobilistik të Italisë me qendër në Livorno. Vizita e tyre në Shkodër u krye në kuadër të projektit të organizatës “Albcampers”, me qëllim promovimin e një lloj turizmi alternativ, që do të startojë nga Shkodra. Për 18 ditë do të përshkojë 1500 km në Shqipëri nga veriu në jug dhe do të finalizojë udhëtimin e tyre në qytetin e Tiranës. Përfaqësuesit e këtij klubi gjatë udhëtimit të tyre do të kryejnë një sërë aktivitetesh filantropike, misione sociale dhe turistike të organizuar. Fillimisht përfaqësuesit e këtyre automjete, të shoqëruara nga përfaqësues të “AlbCampers”, janë stacionuar në qendër të qytetit të Shkodrës dhe më pas kanë zhvilluar një takim pune në Bashkinë e Shkodrës, ku janë pritur nga nënkryetari i saj Ridvan Troshani. Në këtë bisedë miqësore pikat e përbashkëta të saj kishin të bënin me promovimin e turizmit në Shkodër, si dhe për të njohur nga afër planet dhe arritjet e Bashkisë së Shkodrës në lidhje me zhvillimin e turizmit. Duke qenë se ACI promovon edhe një lloj turizmi alternativ, (siç është ai me rulota), gjatë këtij takimi u bë e mundur që të diskutohet edhe për mundësitë e zhvillimit të këtij turizmi në Shkodër. r.d