E Diel, 1 Nëntor 2026

Trukimi i kazinove, arrestohen dy tregtarët

Policia e Tiranës procedon Bledar Mitrushin dhe Adriatik Feron, pasi shisnin pajisje për manipulimin e lojërave të fatit

Dy persona që furnizonin me pajisje të trukuara kazinotë e vendit u arrestuan dje në Tiranë, në kuadër të një operacioni policor për goditjen e krimit ekonomik. Operacioni i koduar “Good Luck” ka çuar në sekuestrimin e një aktiviteti të paligjshëm, që merrej me montimin dhe riparimin e aparateve të lojërave të fatit. Ky aktivitet i paligjshëm ushtrohej pa u deklaruar në organet tatimore, në një ambient të përshtatur për prodhim lojërash fati në rrugën “Besim Imami” në Tiranë. Policia e kryeqytetit tha dje se do të ndiqen penalisht shtetasit: Bledar Mitrushi, 39 vjeç dhe Adriatik Fero, 37 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata dyshohet se ushtronin aktivitet të paligjshëm, duke futur nëpërmjet pikave doganore pajisje të aparateve të lojërave të fatit, duke ndryshuar emërtimin e pajisjeve, si dhe duke ndërhyrë në sistemet kompjuterike të aparateve të lojërave të fatit, me synim mosfitimin e personave që i ushtrojnë ato. Më pas, riparonin dhe montonin këto aparate, duke i tregtuar në shumën e parave që varion nga 500 deri në 600 euro, ndërsa për shitje të një makinerie lojërash fati nga 800 euro deri më 6000 mijë euro. Ndërkohë që në total vlera e mallrave të sekuestruar arrin në shumën e 30 000 eurove. Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e brendshme të këtij biznesi policia konstatoi se të zotët nuk dispononin asnjë lloj dokumentacioni. Burime policore thanë dje se të gjithë artikujt e sekuestruar kanë hyrë në Shqipëri në mënyrë ilegale. Hetuesit dyshojnë se këta artikuj janë siguruar në Bullgari, pasi ky është shteti që ofron pjesë dhe pajisje të modifikuara që shtojnë probabilitetin e fitimit të kazinove dhe janë të vështira për t’u dalluar nga specialistët e kolaudimit shtetëror të lojërave të fatit. Gjatë këtij operacioni, policia sekuestroi një kasë për makineri lojërash fati, dy makineri lojërash fati me dy ekrane, shtatë kasa metalike të reja, një makineri lojërash fati si dhe dhjetëra minipajisje që shërbenin për trukimin e makinerive, ndërsa vlera e përllogaritur e të gjithë mallit të kapur në flagrancë, sipas policisë, i kalon 30 mijë eurot. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›