E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet skema e falsifikimit të pronave të Konomit, hetimi drejt fundit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 04-11-2011 13:31

Procesi hetimor i pronave të familjes së Skerdilajd Konomit është drejt fundit, pas zbardhjes së falsifikimit të 275 ha tokë në Hamallaj. Dosja do t’i nënshtrohet analizës, pas dërgimit në gjykatë

Tiranë Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për dosjen e pronësisë, ku të afërm të gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi kallëzonin falsifikimin e dokumenteve me qëllim marrjen e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke në Gjirin e Lalzit. Sipas burimeve pranë prokurorisë, mësohet se hetimi i kësaj çështjeje tashmë është në fazën përfundimtare të tij, pas zbulimit të një dokumenti të falsifikuar. Bëhet fjalë për një fletë regjistri ku janë shënuar të dhënat e pronësisë, i mbajtur në vitin 1942, e cila është e ndryshme nga fletët e tjera. Dyshohet se dokumenti në fjalë që u njeh të drejtën e pronësisë pretendentëve për këtë tokë, është futur i falsifikuar në Arkiv dhe më pas është tërhequr po nga të njëjtët persona. Gjatë hetimit gati 7-mujor, Task Forcë në prokurorinë e Tiranës ka mundur të zbardhë skemën e mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, me anë të të cilave synohet përfitimi i 275 ha tokë. Sipas burimeve, konfirmohet se dokumenti në fjalë ka të dhëna dhe shenja lehtësisht të dallueshme, pavarësisht përpjekjeve të falsifikatorëve që kjo fletë e regjistrit të duket e njëjtë me të tjerat. Dy ekspertë të përzgjedhur nga prokuroria kanë mundur të përcaktojnë se fleta e regjistrit nuk është origjinale, duke renditur një sërë elementesh të cilat provojnë falsifikimin. Pas këtij konstatimi, hetuesit kanë mundur të zbardhin rrugën e ndjekur nga përdoruesit e dokumentit, i cili është futur në Arkiv dhe më pas është tërhequr për t’u paraqitur më pas si dokument zyrtar. Lidhur me këtë pjesë të hetimit dhe personat e përfshirë në këtë aferë, nuk jepen detaje, pasi çështja pritet të jetë pjesë e një analize të detajuar. Konfirmohet fakti se prokuroria ka zbardhur tashmë organizatorët e kësaj skeme, edhe pse personat e interesuar kanë deklaruar se këtë dokument e kanë marrë zyrtarisht pranë Arkivit. Në prill të këtij viti, të afërm të gjyqtarit Skerdilajd Konomi denoncuan në prokurori falsifikimin e dokumenteve për pronësinë e një sipërfaqeje prej 275 ha tokë. Më herët, një kallëzim i tillë ishte bërë edhe në prokurorinë e Durrësit, e cila vendosi pushimin e çështjes, pasi vepra penale ishte parashkruar. Në vendimin e pushimit u konstatua se dokumenti në fjalë ishte i falsifikuar, sepse transkripti i tij ishte i ndryshëm nga dokumenti. Duke qenë se transkripti ishte marrë zyrtarisht nga Arkivi, nuk mund të përcaktohej mënyra sesi një dokument i tillë ishte futur në këtë zyra dhe cilët ishin personat që qëndronin pas kësaj afere. Por në hetimin e kryer nga prokuroria e Tiranës, sipas të dhënave, mësohet se tashmë kjo skemë është zbardhur dhe pritet analiza përfundimtare për të vijuar me veprimet e mëtejshme. Kur ka kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga vrasja e gjyqtarit, hetimet janë përqendruar në pistën e pronave si motiv kryesor për ngjarjen e rëndë. Edhe familjarët e gjyqtarit të ndjerë, nëpërmjet dy letrave për krerët e shtetit dhe të drejtësisë, hodhën dyshime se vrasje e të afërmit të tyre është bërë për motive pronësie, duke kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë. Gjyqtari Skerdilajd Konomi u vra vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë kishte zbardhur një vendim i cili i njihte atij dhe të afërmve të drejtën e pronësisë për 2 mijë hektarë tokë në Gjirin e Lalzit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›