Akuza, pasi e vranë, hëngrën darkë në shtëpinë e saj
Gjykata ka lënë me masë sigurie ‘burg’ tre të rinjtë që akuzohen për vrasjen e 86-vjeçares në Poloskë të Devollit
Korçë- Arrest me burg për tre të rinjtë, që pasi masakruan të moshuarën, hëngrën bukë në shtëpinë e saj, ky ishte vendimi i djeshëm i gjykatës së Korçës, ku tre të akuzuarit janë paraqitur për masë arresti. Ndërkohë, ende mbetet e paqartë shuma për të cilën ndodhi ngjarja. Vrasja e 86-vjeçares ndodhi katër ditë më parë në fshatin Poloskë të Devollit.
Masa dhe akuza
Gjata paradites së të enjtes, Gjykata e Korçës ka lënë në burg 3 të rinjtë e akuzuar për vrasjen e të moshuarës Emine Rota. Organi i akuzës ka kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit në kushtet e flagrancës dhe dhënien e masës së sigurisë ‘arrest në burg’ për Ergys Rushitajn 19 vjeç, Taulant Muka 18 vjeç dhe 17-vjeçarin Majkëll Kërmaku. Sipas skenës së ndërtuar nga prokuroria, planifikimi për kryerjen e kësaj vjedhjeje është bërë fillimisht mes Ergys Rrushitajt dhe Taulant Mukës në sheshin qendror të fshatit Hoçisht. Në bisedë e sipër, 19-vjeçari Rushitaj i ka sugjeruar shokut të tij grabitjen e së moshuarës Emine Rota që jetonte e vetme në shtëpi. Krimi ka ndodhur në fshatin Poloskë, pasi ajo jetonte e vetme dhe mund të kishte lekë të kursyera në banesën e saj. Pasi kanë planifikuar vjedhjen, tre te rinjtë kanë hyrë në banesën e 86-vjeçares dhe kur janë pikasur prej saj e kanë goditur atë me grushte e shqelma derisa ajo ka rënë në tokë pa ndjenja. Pas marrjes në shqyrtim të gjithë rrethanave të paraqitura nga prokuroria, por edhe pasi kanë paraqitur versionet përkatëse mbrojtësit e të akuzuarve, gjykata ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për 3 të rinjtë për veprën penale “vjedhje me dhunë në bashkëpunim me pasojë vdekjen”.
Bukë me sallam e djathë pas vrasjes
Autorët e ngjarjes së rëndë që torturuan 86-vjeçaren Emine Rota pas krimit dhe pas plaçkitjes së banesës së fatkeqes, megjithëse e kanë lënë atë të vdekur, kanë vendosur të ushqeheshin në shtëpinë e saj. Ata kanë konsumuar bukë me djathë dhe sallam, pas kontrollit në kuzhinën e viktimës dhe mandej janë larguar sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Burime të policisë lokale bëjnë me dije se kjo është grabitja e dytë për të moshuarën e cila jetonte vetëm. Edhe nga të afërm të viktimës mësohet se rreth 2 muaj më parë asaj i ishin vjedhur rreth 20 mijë lekë të reja, ndërsa ajo ka refuzuar të kryejë denoncimin e rastit në polici. Sipas të njëjtave burime, megjithëse ngjarja është nën hetim nuk është saktësuar nëse autorët e dyshuar të krimit të kenë grabitur gjë ose jo, pasi nuk kanë informacion për sasinë e lekëve që kishte ose jo në shtëpinë e saj e moshuara e ve. Shtëpia e gjitha ishte plaçkitur nga autorët, të tre banorë të fshatit Hoçisht në rrethin e Devollit.