E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump: Bisedimet SHBA–Iran mund të rifillojnë së shpejti në Pakistan. Vance: Synojmë një marrëveshje të madhe

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se një raund i ri bisedimesh mes SHBA-së dhe Iranit mund të zhvillohet shumë shpejt në Islamabad, duke lënë të kuptohet se “diçka mund të ndodhë brenda dy ditëve të ardhshme”.

Sipas mediave ndërkombëtare, Pakistan po përgatitet për një raund të dytë të mundshëm negociatash, pasi takimi i parë i mbajtur gjatë fundjavës nuk arriti të prodhojë një marrëveshje konkrete.

Megjithatë, nga ana e Iranit, sinjalet mbeten të paqarta. Një burim diplomatik i cituar nga agjencia shtetërore IRNA ka deklaruar se nuk ka “asnjë informacion” për zhvillimin e bisedimeve të reja, pavarësisht se mesazhe janë shkëmbyer mes Teheranit dhe Islamabadit, i cili po luan rolin e ndërmjetësit.

Ndërkohë, armëpushimi dyjavor i shpallur më 8 prill pritet të skadojë më 22 prill, duke rritur presionin për arritjen e një marrëveshjeje.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se administrata Trump synon një “marrëveshje të madhe” me Iranin dhe jo një kompromis të kufizuar. JD Vance tha se negociatorët kanë bërë “progres të rëndësishëm” gjatë bisedimeve në Pakistan.

Vance pranoi se ekziston një mosbesim i thellë mes dy vendeve, i ndërtuar ndër dekada, dhe se një zgjidhje nuk mund të arrihet brenda natës. Megjithatë, ai shtoi se pala iraniane duket e interesuar për një marrëveshje.

Në fokus të negociatave mbeten çështje kyçe si programi bërthamor i Iranit dhe siguria në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja ka përsëritur qëndrimin e saj se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›