E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trump: Centrale bërthamore të Iranit u shkatërruan plotësisht. Paralajmëron sulme më të mëdha nëse nuk pranohet paqja

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se forcat amerikane kanë “shkatërruar plotësisht” tre nga centralet kryesore bërthamore të Iranit, Natanz, Isfahan dhe Fordow në një seri sulmesh ajrore që ai i quajti “sukses spektakolar ushtarak”. Në një fjalim të shkurtër televiziv, Trump paralajmëroi Teheranin se nëse nuk pranon paqen, do të përballet me “tragjedi” dhe sulme të tjera shumë më të ashpra.

“Objektet kryesore të pasurimit bërthamor të Iranit janë shkatërruar tërësisht. Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i ndjekim objektivat e tjerë me precizion, shpejtësi dhe aftësi,” deklaroi Trump.

Sipas tij, në kompleksin e fortifikuar të Fordow, i vendosur thellë nën një mal në jug të Teheranit, u hodhën gjashtë bomba bunker-buster, ndërsa 30 raketa Tomahawk goditën Natanzin dhe Isfahanin. Bombarduesit strategjikë B-2 Spirit, të aftë për të bartur municion të specializuar për objektiva të mbrojtur fort, morën pjesë në operacion, citon Reuters.

Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump shkroi: “Një ngarkesë e plotë me BOMBA u hodh në vendin kryesor, Fordow. Fordow është zhdukur.”

Kjo ndërhyrje vjen pas javësh tensionesh dhe paralajmërimesh ndaj Iranit dhe konsiderohet një përshkallëzim i madh i konfliktit në rajon, pas vendimit të Trump për t’u bashkuar me ofensivën izraelite.

Përkundër deklaratave të forta të Trump, autoritetet iraniane dhe media shtetërore e kanë minimizuar shkallën e dëmit në Fordow dhe mohojnë që objekti të jetë “shkatërruar”, duke e quajtur sulmin “më tepër simbolik se sa efektiv”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›